Mendim

Papa Françesku: Pandemia po tregon kufijtë e ekonomisë së tregut

Papa Françesku ofroi recetën e tij për një mori “plagësh” që sipas tij po godasin shoqëritë në të gjithë botën, përfshirë varfërinë, terrorizmin dhe racizmin, në një dokument të madh të shkruar në hijen e pandemisë së koronavirusit.

Dokumenti "Fratelli tutti" ("Vëllezër, të gjithë"), i publikuar nga Vatikani të Dielën, shënon herën e tretë që Papa Françesku shkruan një enciklikë, një nga zhanret më autoritarë të shkrimit papnor. Teksti me 43,000 fjalë i bën jehonë disa prej cështjeve kryesore që shqetësojnë shoqërinë, duke përfshirë të drejtat e emigrantëve dhe të varfërve, të cilat po përkeqësohen për shkak të pandemisë.

"Sapo të kalojë kjo krizë shëndetësore, përgjigjja jonë më e keqe do të ishte zhytja edhe më thellë në një botë të etur dhe egoiste ", shkruan Papa. "Sikur të mund të mbanim në mendje të gjithë ata persona të moshuar që vdiqën për mungesë të aparateve të frymëmarrjes, pjesërisht si rezultat i dobësimit vit pas viti të sistemeve të kujdesit shëndetësor."

Por Ati i Shenjtë shkruan se përvoja e pandemisë gjithashtu ofroi shpresë falë njerëzve të zakonshëm, pastruesve dhe punëtorve të supermarketeve, si dhe mjekëve, infermierëve dhe priftërinjve,  të cilët rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur shoqërinë: "Ata e kuptuan se askush nuk shpëtohet vetëm ", thotë Papa.

Plagët shoqërore që Papa Françesku denoncon përfshijnë racizmin, të cilin ai e përshkruan si një "virus që  në vend që të zhduket, fshihet në pritje", dhe një kulturë e individualizmit radikal, të cilin ai gjithashtu e krahason me një virus.

Synimet kryesore të Papa Françeskut përfshijnë atë që ai e quan dogmë të ekonomisë neo-liberale, e cila sipas tij, premton një prosperitet të dobët. "Brishtësia e sistemeve botërore përballë pandemisë ka demonstruar se jo gjithçka mund të zgjidhet nga liria e tregut", shkruan ai. Ai bën thirrje për forcimin e Kombeve të Bashkuara dhe strukturave të tjera shumëpalëshe për të krijuar një ekonomi globale.

Papa thekson se, sipas mësimit tradicional shoqëror të Kishës Katolike, e drejta e pronës private është e varur nga "destinacioni universal i mallrave ", një parim që ai thotë se shtrihet përtej kufijve kombëtarë. "Çdo vend i përket gjithashtu të huajit, për sa kohë që mallrat e një territori nuk duhet t'i mohohen një personi në nevojë që vjen nga diku tjetër," shkruan ai.

Ai ofron figurën biblike të Samaritanit të Mirë, i cili ndihmoi një të huaj në nevojë të lënë pas dore nga fqinjët e tij, si model që duhet të ndiqet nga shoqëria. "Çdo ditë duhet të vendosim nëse do të jemi samaritanë të mirë apo kalimtarë indiferentë," shkruan ai.

Papa Françesku kritikoi po ashtu politikanët populistë që "shfrytëzojnë politikisht kulturën e një populli, nën çfarëdo flamuri ideologjik, për avantazhin e tyre personal ose kontrollin e vazhdueshëm të pushtetit".

Enciklika përfshin fjalë të rënda në lidhje me kulturën dixhitale, të cilat ai thotë se "inkurajon armiqësi të jashtëzakonshme, fyerje, abuzime, shpifje dhe dhunë verbale shkatërruese, që mund të na shkëpusë të gjithëve".

"Gjërat që deri para disa vitesh nuk mund të thuheshin nga askush pa rrezikuar humbjen e respektit universal tani mund të thuhen pa u ndëshkuar, dhe me termat më të vrazhdë, madje edhe nga disa figura politike", shkruan Papa Françesku.

Enciklika është frymëzuar nga takimi i Papës në shkurt të vitit 2019 në Abu Dhabi me Imamin e Madh Ahmed el-Tayeb të Xhamisë Al-Azhar të Kajros, me të cilin ai nënshkroi një dokument që premton bashkëpunimin ndër-fetar dhe denoncon të gjithë dhunën në emër të Zotit. Papa gjithashtu i jep merita Martin Luther King Jr, Mahatma Gandhi dhe Desmond Tutu për të cilët thotë se e frymëzuan të shkruante dokumentin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë