Ngjarje

Pandemia prishi “sezonin” e larjes së hesapeve

Bledar Birçaj u ekzekutua në mes të ditës në qytetin e Vlorës teksa po udhëtonte me automjetin e tij i shoqëruar nga dy persona të tjera. Autorët, që ishin gjithashtu dy, zbrazin breshëri kallashnikovi në drejtim të Birçajt me një saktësi të lartë, e lënë shënjestrën të vdekur në vend dhe më pas largohen. Everest Çakës në Elbasan, autorët i zbrazën 12 plumba në trup në sy të bashkëshortes së tij, që u plagos në dorë.

Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë që kanë regjistruar ekzekutimin e Birçajt në Vlorë, mënyra sesi dy autorët qëllojnë me breshëri Kallashnikovi, gjakftohtë dhe me saktësi sugjeron se në këtë “zanat” ata janë profesionistë dhe prita ishte e mirëmenduar dhe mirëorganizuar.

LEXO EDHE:
– Atentati në Vlorë, përveç policit në makinë ndodhej edhe kushëriri i viktimës
– Pas vrasjes te “5 maji”. Njëri nga të rinjtë autori, të tjerët fshehën pistoletën, larguan gëzhojën dhe pastruan lokalin

Në Elbasan, autorët inskenuan më parë një aksident mes njëri-tjetrit për të futur në pritë Everest Çakën. Këto janë nga ato lloj ekzekutimesh ku autorët, pasi “kryejnë” punën largohen në drejtim të paditur, pa lënë gjurmë.

E përbashkëta tjetër, përveçse llojit të ekzekutimeve mafioze është se të dyja viktimat sapo ishin kthyer në atdhe. Bledar Birçaj kishte rreth një muaj i kthyer nga Spanja, e po rreth një muaj kishte edhe Everest Çaka i kthyer në vendlindje, por nga Gjermania.

Pistat e hetimeve në të dyja rastet jozyrtarisht thuhet se janë prishja e pazareve të drogës, apo larja e hesapeve për aktivitetet kriminale në të cilat viktimat dyshohet se mund të jenë të përfshirë jashtë territorit të Shqipërisë.

Pista kryesore e ekzekutimit të Everest Çakajt lidhet me aktivitetin e tij në Belgjikë, ku në nëntor të 2020-ës iu vra kushëririt, Arjan Spahiut. Pista tjetër është ajo e larjes së hesapeve mes bandave, ndërsa nuk përjashtohet edhe hakmarrja për një vrasje të shumëfishtë të ndodhur në Elbasan në vitin 2011.

Për rastin e Bledar Birçajt, një nga pistat ku po hetohet janë konfliktet që mund të ketë pasur në Spanjë. Emri i tij nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2011 është arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje dhe një vit më vonë u ndalua për dhunimin e një punonjësi të hipotekës në qytetin e Vlorës.

Zakonisht, prej vitesh në Shqipëri vrasjet e tipit mafioz ishin bërë “traditë” në muajin gusht, apo në dhjetor e janar, që përkonin me periudhën e pushimeve, ose festave, kohë kur disa ktheheshin në atdhe thjesht për të takuar familjarët e të afërmit, të tjerë edhe për të ekzekutuar rivalët. Në krimet e këtij profili, njoftimet e policisë shqiptare shoqërohen rëndom me togfjalëshin “dyshohet për prishje të pazareve të drogës jashtë vendit, apo larje hesapesh mes grupeve kriminale”.

Por, masat shtrënguese të lëvizjes për shkak të Covid-19 përgjatë të gjithë 2020-ës dhe të shtrira në të gjithë Europën, duket se e kanë prishur këtë traditë. Si gushti e dhjetori i vitit të kaluar, ashtu edhe janari i këtij viti kanë qenë muaj të qetë në krahasim me vitet e kaluara në Shqipëri sa u takon vrasjeve të këtij lloji dhe kufizimet ekstreme në Europë mund të kenë luajtur një rol të madh.

Kjo shpjegohet edhe me faktin se me lehtësimin gradual të masave kufizuese në vendet e BE-së pas masivizimit të vaksinimit rikthehen në Shqipëri ekzekutimet e tipit mafioz, si rasti i Elbasanit dhe Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë