Shendet

Pandemia e gripit. Ekonomistët apel botës: Krijoni antibiotik stok

Ekonomistët paralajmërojnë qeveritë nëpër botë që të krijojnë rezerva stok antibiotikësh në prag të një pandemie gripi të pritshme.

Megjithëse antibiotikët nuk kanë efekt ndasj virusit që shkakton gripin, Ramanan Laxminarayan paralajmëron se infeksionet bakteriale sekondare që vijnë prej gripit – të tilla si pneumonia – janë edhe më vdekjeprurës.
Një studim i fundit konfirmon se përveçse shpëtojnë jetë, antibiotikët do t’u kursenin qeverive miliarda dollarë në kosto trajtimesh dhe mungesë të pacientëve në punë.
Kërkimi u krye nga Qendra për Dinamikat, Ekonomitë dhe Politikat e Sëmundshmërisë, në Uashington DC.

Ekonomistët krijuan një model që analizon vlerën financiare të mbajtjes së antibiotikëve për t’i përdorur gjatë shpërthimeve të gripit.

Rezultatet – të publikuara në revistën “Health Economics” – zbuluan se krijimi i rezervave me antibiotikë dhe ilaçe të tjera, do t’u kursente ekonomive botërore nga 3 deri në 4 miliardë dollarë.

Këto kursime do të vinin nga shmangia e impaktit financiar prej ditëve të punës të munguara, përkujdesjes emergjente shëndetësore, por edhe kostos që mbart vdekja e një pacienti.

“Shumë njerëz nuk e kuptojnë se ajo që i vret njerëzit gjatë një pandemie nuk është thjesht virusi i gripit, por një infekstion bakterial sekondar”, thotë z.Ramanan Laxminarayan.
“Mos harroni, është e pashmangshme një pandemi tjetër gripi. Mund të ndodhë sivjet, vitin që vjen apo pas 15 vjetësh. Ka tepër rëndësi krijimi i stokut me antibiotikë që gjithçka të na gjejë të përgatitur”, shprehet Laxminarayan.

Ai i referohet pandemisë së Gripit Spanjoll në vitin 1919, i cili vrau rreth 100 milionë njerëz në mbarë botën. Shumica e këtyre vdekjeve ndodhi për shkak të infeksioneve bakteriale sekondare dhe jo nga vetë virusi i gripit.

Gripi Spanjoll rezultoi me vdekjen e 3-5 për qind të popullatës botërore, çka e bëri një nga sëmundjet më vdekjeprurëse në historinë e njerëzimit. Kjo foto tregon ushtarë të sëmurë nga ky virus në bazën ushtarake Fort Riley, Kansas, SHBA

Frika nga një pandemi gripi është rritur vitet e fundit, pas shpërthimeve të rënda të virusit në Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dr.Tedros Adhanom paralajmëroi shkurtin e vitit të kaluar se njerëzimi është tepër i cenueshëm ndaj një pandemie. Jo më kot Britania e Madhe e rendit pandeminë e gripit në të njëjtin nivel rrezikshmërie si sulmet terroriste apo si sulmet kibernetike.

Mutacioni i një virusi ka shumë gjasa të marrë jetët e miliona njerëzve, pasi ai mund të bashkohet me variante të tjera të gripit, duke u bërë kështu edhe më vdekjeprurës. Diçka e ngjashme ndodhi në 2009 me Gripin e Derrit, i cili vrau rreth 300 mijë persona në rreth 60 vende të prekura prej këtij virusi.

Në Shqipëri, problem cilësia e ulët e antibiotikëve
Megjithë thirrjet e vazhdueshme të ekspertëve të shëndetit publik, në Shqipëri problem themelor – përveç problemeve që mbart prej vitesh tregu i medikamenteve – është cilësia e ulët e antibiotikëve. Mjekë dhe farmacistë pohojnë se kjo cilësi e ulët është nxitur në vitet e fundit nga politikat e rimbursimit. Logjikisht, qytetarëve u bie të paguajnë më shumë, pasi duke blerë dy-tre herë ilaçet për një kurë, harxhojnë më shumë se më parë. Ekspertët e shëndetësisë në Shqipëri pohojnë se në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt.

Nga ana tjetër, mjekët konfirmojnë se po rritet gjithnjë e më shumë edhe numri i personave që po bëhen rezistentë ndaj ilaçeve dhe veçanërisht antibiotikëve. Është kulturë e përgjithshme tashmë në Shqipëri që edhe për një grip të thjeshtë njerëzit marrin antibiotikë apo para-antibiotikë. Por përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje ii popullatës po merr gjithnjë e më shumë medikamente.

Sipas INSTAT, gjatë 2017-s u importuan 5,492 ton barna, me një rritje vjetore prej 9.4%. Ky është niveli më i lartë rekord i arritur pas viteve ’90, si në sasi, ashtu dhe në vlerë. I njëjti trend rritës duket se ka vazhduar edhe gjatë vitit që lamë pas. Në 2017, INSTAT nënvizon se importet shënuan një vlerë prej 24.6 miliardë lekësh ose 16 për qind më shumë se gjatë 2016-s. Nëse kësaj kësaj shifre i shton një vlerë prej 5% nga importi në depot e shumicës dhe më pas 24% tek farmacitë, rezulton se shqiptarët kanë shpenzuar për t’u kuruar me barna rreth 32 miliardë lekë në vitin 2017, apo mbi 230 milionë euro. Rreth 40% e kësaj shume rimbursohet nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, i cili e ka zgjeruar vazhdimisht listën e barnave të rimbursueshme.

Burimi: The Telegraph, INSTAT


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë