Ngjarje

Panairi i Rinisë / Mundësitë janë, por të rinjtë nuk kanë informacion

Të rinjtë sot kanë mundësi të shumta për t’u përfshirë në zhvillimet sociale dhe politike, ndryshe nga ç’kishin në fillim të viteve ’90, kur kërkonin ndryshimin e kushteve të tyre dhe sistemit politik në përgjithësi. Por ajo që vihet re është mungesa e informacionit, ku të shkojnë, ku të aktivizohen, ku të gjejnë fondet për të jetësuar idetë e tyre. Pikërisht për këtë arsye, disa dhjetëra organizata rinore u organizuan sot – në Ditën e Rinisë – në një panair në Sheshin “Skënderbej”.

Flutra Brakaj, pjesëmarrëse e organizatës rinore RYCO

Kur takoj Flutra Brakajn, nga organizata rinore “RYCO”, më thotë menjëherë se “fokusi i tyre janë të rinjtë nga i gjithë rajoni, pa dallime mes tyre”. Organizata është krijuar nga bashkëpunëtorë të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bosnja dhe Hercegovinës, Malit të  Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Brakaj shprehet se me organizimin e sotëm synojnë të jenë më afër të rinjve duke u prezantuar projekte të ndryshme të organizatës. Brakaj shpjegon se organizata e tyre ka për qëllim mbi të gjitha promovimin e frymës së pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon, përmes programeve të ndryshme.

“Një ndër pikat themelore të organizatës, është që të rinjtë të bashkohen për të mirën e rajonit, pa parë nga çfarë kombësie janë. RYCO ka bërë thirrje të hapura për edukimin e të rinjve, për sa i përket ideve të reja dhe realizon projekte të shumta ku bashkohen të rinjtë nga mbarë rajoni. Selia qendrore e organizatës është në Tiranë dhe kohët e fundit kemi fituar dy projekte nga Komisioni Evropian dhe Kombet e Bashkuara, ku kryesisht në fokus janë gjimnazet dhe të rinjtë nga që nga mosha 15 vjeç,” shton Brakaj.

Në panair vërtiteshin shumë të rinj që dukeshin të interesuar për secilën prej stendave që ndodheshin përbri Hotel “Tirana International”. Disa prej tyre thanë për gazetën si se ishin të interesuar më së shumti për këshillim mbi punësimin për të ditur se ku të drejtoheshin në të ardhmen.

Enisi, një djalë 18-vjeçar i cili gjendej në një prej stendave, tha për Gazetën “Si” se gjithmonë ka qenë i interesuar për këto lloj këshillimesh. Ai tregon se që në moshën 15 vjeç ka marrë pjesë në organizata të ndryshme dhe sot është në këtë panair për të parë se çfarë i ofrohet më shumë.

Por në Panairin e Rinisë nuk kishte vetëm të rinj. Pranë stendës së RYCO, gjendej dhe një i moshuar, i cili po pyeste me shumë kuriozitet se për çfarë shërbenin këto organizata.

“Të marr vesh ndonjë gjë që bëhet dhe t’u them edhe nipërve të vijnë e të flasin me ju,” u shpreh ai teksa përpiqej të lexonte broshurat  ndryshme në tavolinë.

Në panair, gjendej edhe organizata “Youth Act”, një qendër që sipas përfaqësuesit të saj Erion Muça, tani po merret fort me “Kartën Rinore Evropiane”. Karta shërben si një lehtësim për të rinjtë e Shqipërisë, për të përfituar zbritje në produkte dhe shërbime në 36 vende të botës.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i të Rinjve nëpërmjet Mobilitetit dhe Kartës Rinore Evropiane”, nxënësit e shkollës “Sandër Prosi” u pajisen me Kartën Rinore Evropiane


Të rinjtë që tashmë janë pajisur më kë kartë do të përfitojnë zbritje çmimi në mbi 60.000 oferta njësoj si bashkëmoshatarët e tyre nëpër Europë. Gjithashtu do të bëhen pjesë e trajnimeve/ seminareve brenda dhe jashtë vendit të cilat janë të dedikuara vetëm për anëtarët e Kartës Rinore. Ky projekt është financuar nga Bashkimi Europian dhe mbështetur nga Partners Albania for Change and Development në kuadër të projektit “Youth Bank Hub for Western Ballkan and Turkey”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë