Ngjarje

Panairi i makinave historike ku mjeshtëria e viteve ’60 adhurohet nga të rinjtë e sotëm

Në jubileun e 20-vjetorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucioni ka shfaqur për publikun e gjerë prej dy ditësh në Sheshin "Skënderbej" koleksionin e mjeteve historike antike (Retro) nën emërtimin N’Gaz.

Automjetet dhe motomjetet i përkasin një tjetër periudhe historike, ku teknologjia nuk kishte nisur vrullin e saj, por modelet unike, mjeshtëria e ndërtimit të tyre dhe historia i ka kthyer ato në vepra arti aq të dëshiruara sot, jo vetëm për të apasionuarit pas këtyre mjeteve, koleksionistët, restaurusit dhe ndërtuesit artizanalë të këtyre modeleve, por edhe për sytë e masës.

Aty mund të gjesh që nga ‘Mercedes Benz’ i prodhuar në Gjermani në 1965 e cila konsiderohej si makinë luksi, makinat e garave dhe skodat e deri tek vespat.

RETRO është një projekt i mezipritur dhe shumëdëshiruar nga mjeshtrat, restauruesit dhe koleksionuesit e çiklomotorave dhe automjeteve të hershme dhe me interes historik.
RETRO lindi për të jetëzuar një trashëgimi deri sot pa status dhe për të promovuar e ekspozuar sa më shumë mjete dhe kujtesë automotorizimi me interes historik, si dhe për të ofruar informacione, shërbime dhe lehtësira për këtë aktivitet pasionant me ndjeshmëri kaq të veçantë.

DPSHTRR thotë se po punon për zbardhjen e procedurave administrative për regjistrimin dhe lehtësinë në lëvizje të mjeteve të klasifikuara si të hershme dhe ato me interes historik dhe koleksionimi konform legjislacionit në fuqi.

Procedurat përfshijnë pajisjen e këtyre mjeteve me targë të përkohshme dhe fletë udhëtimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë