Pas një viti mungesë nga pandemia, Panairi i Librit “Tirana 2021” u hap këtë të mërkurë në Pallatin e Kongreseve në formën klasike të tij, me prani fizike tëautorëve dhe lexuesve.
Ndryshe nga nëntori i vitit të shkuar, që mund të quhej ndryshe si nëntori “online” i librit dhe motoja ishte “klikoni, klikoni” për të parë titujt e rinj, tashmë lexuesi i këtij viti ka mundësi të shohë nga afër e të shfletojë librat që dëshiron të fusë në çantë, duke marrë edhe kënaqësinë e një autografi nga autorët.
Ceremonia inauguruese e Panairit e mbajtur në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të librit, shkrimtarë, përkthyes, botues edhe dashamirës të librit në këtë edicion të 24-të, të cilët pohuan njëzëri rëndësinë që ka ky panair tradicional pas shkëputjes që pati për shkak të pandemisë.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve në Shqipëri, Petrit Ymeri, njëkohësisht edhe organizator i panairit e cilëson këtë datë si një ditë gëzimi për rikthimin e librit.
Ndër të tjera, Ymeri shprehet se është një ditë e shënuar edhe për botuesit shqiptarë, por edhe për njerëzit e kulturës që kanë dhënë kontributin e tyre në këto 24 vite në këtë ngjarje kulmore për librin.
“Pas një periudhe të gjatë jofavorizuese shëndetësore, pas një pandemie të gjatë, këtë vit më në fund me bashkëpunimin e të gjithëve arritëm ta organizojmë panairin për t’i dhënë jo vetëm qytetit të Tiranës, por edhe gjithë Shqipërisë, atë dëshirën për lexim, për t’i dhënë librin. Dua të falënderoj Bashkinë e Tiranës, që për të dytin vit radhazi e mbështet Panairin e Librit, por edhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit”, u shpreh Petrit Ymeri në hapjen e panairit të 24-të.
Ndërkohë, në këtë ceremoni, ai gjeti rastin edhe të ngrejë problematikat që sipas tij ka vendi ynë me librin.
“Duhet të përmirësojmë së bashku me institucionet klimën e librit në Shqipëri. Pasurimi i bibliotekave, ngritja e librarive, ngritja e bibliotekave në shumë rrethe të vendit është shumë emergjente. Ka shumë biblioteka shkollore, që ka 10 vjet që nuk pasurohen”, tha ndër të tjera Ymeri.
Aktiviteti erdhi nën moderimin e përkthyesit Erion Kristo, i cili duke qenë i përshirë edhe vetë në botën e librit dhe përkthimit, e quan ditë të veçantë, pasi sipas tij kjo ngjarje bën bashkë jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët, të cilët i shohim tek vërshojnë në stenda dhe dalin nga panairi plot me libra.
Duke e cilësuar si domosdoshmëri panairin e librit, Piro Misha, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, thotë se duhet vazhduar kjo traditë.
“Kjo festë kontribuon në shumë dimensione për të mbajtur gjallë traditën”, tha Misha, ndërsa vu në pah edhe frikën e pjesëmarrjes, “uroj që të vijnë sa më shumë njerëz, duke pasur parasysh se jetojmë në një kohë të çuditshme”.
E pranishme në ceremoninë hapëse të Panairit, i cili do të vijojë deri të dielën (21 nëntor) ishte edhe zv.ministrja e Kulturës, Meri Kumbe, e cila bëri me dije që do të hapet edhe aneksi i Bibliotekës Kombëtare.
“Padyshim ky është një panair i veçantë, pasi vjen në një vit të vështirë, urojmë të ketë vizitorë, por nga ana tjetër duhet të bëjmë kujdes edhe për shëndetin. Sfidat e librit, janë sfida globale tanimë, por pandemia çmoi edhe njëherë rëndësinë që ka libri. Dua të njoftoj se do hapet aneksi i Bibliotekës Kombëtare që shumë shpejt do t’i shtohet qytetit si një pol kulturor me thesare të fshehura”.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, theksoi që duhet një urë komunikimi mes lexuesit shqiptar dhe kosovar.
Duke marrë shkas nga fjala e botuesit Zeneli, Alda Bardhyli nga Qendra Kombëtare e Librit u shpreh se është shpresëplotë që viti 2022, të jetë viti i arritjeve të hapave konkretë që të kemi një vazhdim komunikimi në të dyja anët e kufirit.
“Është një prioritet vazhdimi i një komunikimi përmes librit të leximit në të dy anët e kufirit. Viti 2022 shpresoj të jetë viti i arritjeve të hapave konkretë.
Teksa ceku edhe problematikat e librit që sipas saj vijojnë të mbeten të mëdha, u shpreh se “ajo që na bashkon sot në këtë ditë është sfida e përbashkët e leximit. Ta afrojmë sa më shumë lexuesin te libri, vetëm duke pasur një shoqëri të lexuar, do të jemi më të mirë, do i ftoja të gjithë që t’i bashkohen këtij panairi”.
Kryetari i Shoqatës ndër të tjera tha se në Tiranë duhet të kemi edhe një bibliotekë për kryeqytetin. “Ajo që mungon është edhe një bibliotekë për kryeqytetin, si një pol i ri kulturor. Është e dhimbshme që Tirana nuk ka bibliotekë”.
Panairi i këtij viti vjen nën masat anticovid, ku sipas organizatorëve ndalohen vizitat kolektive.
“Orari do jetë nga ora 09:00 deri në orën 20:00. Do të ketë një orë pushimi nga ora 14:00-15:00 për t’u ajrosur dhe janë të ndaluara vizitat kolektive”, shprehen organizatorët.
Normaliteti i ri ka edhe shënjimet e veta, ndaj këtë vit janë ngushtuar stendat, gati 25% më pak, qoftë në hollin kryesor qoftë në ballkonadë, në mënyrë që korridoret të jenë më të lira e më të bollshme për të lëvizur njerëzit.
Panairi gjatë 5 ditëve do të shoqërohet edhe me promovime dhe tryeza diskutimi për poezinë, prozën, lexueshmërinë në vend, etj. Përtej promovimeve në sallën ovale dhe në stenda, një tryezë diskutimi mbahet për problemet e përkthimit dhe një Sofa e librit në panair me takime me shkrimtarë, përkthyes e pedagogë.
Të shtunën panairi do të ndajë edhe çmimet vjetore. Çmimet do të gjykohen nga juria e përbërë nga Anila Mullahi kryetare jurie dhe anëtarë Enkel Demi, Albana Nexhipi Lekaj, Xhimi Lazri dhe Aida Tuci.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.