Ngjarje

Pallati te ‘Petro Nini’ do të shëmbet, policia konfliktohet me banorët e mbetur

Gazeta Si - Policia dhe IKMT kanë ‘mësyrë’ këtë të premte në rrugën “Margarita Tutulani” pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” për të shembur një pallat.

Shkak është një konflikt i nisur prej më shumë se 10 vjetësh, ku ndërtesa prej vitit 2013 rezulton të jetë pronë e shtetit. 

Si rrjedhojë, disa banorë janë mbledhur pranë banesave të tyre dhe po kundërshtojnë këtë vendim.

Më herët banorëve të pallatit nr 15, i njohur ndryshe si “Çelpa” u është komunikuar se pallati është dëmtuar nga tërmeti dhe duhej të shembej, por falë ballafaqimit të qytetarëve në Gjykatë ata e kanë fituar çështjen.

Prej orës 10:00 forca të shumta të policisë bashkiake, por dhe ato të rendit ndodhen pranë pallatit, ndërsa banorët refuzojnë të largohen. Mes tyre ka pasur edhe momente tensioni.

Objekti rezulton si pronë e shtetit, pasi është ndërtuar që prej periudhës së regjimit italian në Shqipëri më 1941.

Që prej vitit 1980, banorët u futën në këtë godinë me një kontratë ku paguanin një kuotë qiraje mujore, por kjo godinë kaloi si pronë e shtetit falë një ndryshimi të një VKM në vitin 2013.

Sipas banorëve, një person të cilin e identifikojnë si Pali Salepi pretendon se është pronar i tokës.

Ndërsa banorët nuk disponojnë një certifikatë pronësie, përveç faktit se kanë jetuar aty prej 40 vjetësh.

“Ai ka një dokument ku këtu ka qenë një roje që ruante këtë banesë dhe italianët ia kanë falur këtij rojës dhe roja ia ka shitur Pali Salepit”, - tregon një banor.

Konflikti i mbartur prej 10 vitesh, tërhoqi vëmendjen në 2013-ën, para se socialistët të merrnin pushtetin.

Asokohe ishte Sajmir Tahiri, deputet i PS në Parlament që mbronte të drejtat e qytetarëve, duke kundërshtuar ndërhyrjen e drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani për të nxjerrë banorët nga godina për zbatimin e urdhrit të Përmbarimit.

Ndërsa këtë herë, deri tani nuk ka pasur asnjë palë politike të përfshirë në konflikt, përveç Partisë së Lirisë.

Policia aktualisht ka rrethuar zonën dhe pretendon se kanë në dorë një vendim gjykate për të liruar pallatin, pasi ai do të shembet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë