Ngjarje

Pako me tritol poshtë makinës së administratorit të Vllaznisë, Suad Lici

Një sasi me eksploziv, është vendosur në makinë e administratorit të ekipit të futbollit të Vllaznisë, Suad Lici. Ka qenë vetë ky i fundit i cili ka konstatuar lëndën eksplozive në automjetin e parkuar dhe ka njoftuar menjëherë policinë. Makina ka qenë e parkuar poshtë banesës së tij në lagjen "Ahmet Haxhia" në qytetin e Shkodrës.

Ora News raportoi se forcat xheniere kanë mundur ta largojnë eksplozivin. Shqiptarja.com shtoi se vetëm fati ka bërë që pakoja të mos shpërthejë pasi ekspertët kanë konstatuar se në momentin që autorët e kanë vendosur, fitili përcjellës është ndezur, por është djegur vetëm një pjesë dhe është fikur duke bërë që zjarri të mos depërtojë deri tek pjesa e mbështjellë me lëndë plasëse.

Tritoli i gjendur poshtë makinës së Licit

Njoftimi paraprak i policisë:

"Më datë 16.02.2020, rreth orës 08:56, shtetasi S. L. 46 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër ka njoftuar Sallën e Drejtimit në DVP Shkodër, se poshtë mjetit të tij tip Benz, ka konstatuar një pako të mbështjellë me letër natriban ku dyshohet se mund të ketë lëndë plasëse. Në vend ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ku vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes".

Në vendngjarje ka shkuar edhe kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi e cila është interesuar për situatën.

Lici duke folur për mediat

Duke folur për mediat, vetë Lici është shprehur se e ka parë rastësisht lëndën plasëse, në kohën kur ishte duke marrë makinën. Ai është shprehur se nuk ka konflikte me askënd dhe kjo ngjarje mund të ketë lidhje me punë e tij. “Rreth orës 08:30 dola nga shpia për të marrë makinën dhe pashë një pako të dyshimtë. Më pas menjëherë njoftova për policinë. Nuk kam konflikt me njeri. Ndoshta mund të jetë dhe për shkak të detyrës. Unë nuk kam pasur as nuk kam ndonjë konflikt me asnjë njeri, unë jam njeri i lirë dhe vazhdoj të jem i lirë. Nuk kam pasur asnjë lloj problematike, njerëzit kanë kërkuar sqarime dhe u kam dhënë sqarime. Unë jam personi përgjegjës për mbarëvajtjen e punës. Formacionin e bëjnë stafi teknik dhe drejtuesit. Unë kam plotësuar kërkesat që ka pasur skuadra. Unë do të vazhdoj jetën time të përditshme. Pa folur organet kompetente nuk kemi pse të flasim. Nëse ka të bëjë me sportin, mendoj që njerëzit, kriminelët apo çdo strukturë kriminale të lënë të qetë Vllazninë dhe sportin, popullin e Shkodrës, sepse ky qytet meriton shumë më shumë. Do të vazhdoj jetën normale, pasi unë jam njeri i lirë”, tha Suad Lici.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë