Interviste

Pajisja që po shpëton jetë! Flet shqiptari që dizenjon ventilatorë në SHBA

Lorenc Koka është njëri prej mijëra shqiptarëve që jetën e ka të lidhur përtej Atlantikut. Ai jeton e punon si inxhinier në Filadelfia. Ndryshe nga një pjesë e mirë e amerikanëve që për shkak të masave të pandemisë së Covid-19 janë detyruar që të mbyllen në shtëpi, për Lorencin puna është shtuar.

Ai është inxhinier në kompaninë “Brooks Instrument”, një kompani prodhimi pjesësh mekanike, mes të cilave edhe ventilatorët, aq shumë të kërkuar sot në tregun global. Lorenci shpjegon për gazetën “Si” në këtë intervistë procesin e prodhimit dhe përbërësit e ventilatorëve, arsyen se përse Gjermania ka numrin më të ulët të vdekjeve nga koronavirusi, si dhe jep këndvështrimin e tij nëse një ditë ventilatorët për qëllime mjekësore mund të prodhohen në Shqipëri.

Prej sa kohësh punoni në kompaninë “Brooks Instruments”?

Unë kam 3 vjet që punoj në kompaninë “Brooks Instruments”.

Për çfarë shërben një ventilator dhe cilat janë pjesët teknike të tij në funksionimin efikas në spitale?

Detyra kryesore e një ventilatori është që të shërbejë si pajisje ndihmuese për pacientët që kanë vështirësi në procesin e frymëmarrjes. Që një person të marrë frymë lirisht, në ajrin që thith, ka në tërësi përafërsisht 21% Oksigjen, 78% Nitrogjen dhe pjesa tjetër përbëhet nga gazra si Dioksid Karboni, Argon, Neon, Helium dhe Hidrogjen. Kur një person nxjerr ajrin nga mushkëritë konsiston përreth 4% deri në 5% Oksigjen në bazë të volumit të ajrit që thith. Pra, duke e patur parasysh këto dy pika kryesore, një ventilator dizenjohet, programohet, testohet dhe kualifikohet që të shërbejë në dërgimin e një sasie të caktuar, në këtë rast nga doktorët që janë dhe përdoruesit e ventilatorëve, të përbërësve nominalë të gazrave në ajrin që një pacient në vështirësi frymëmarrje ka nevojë.

Lorenc Koka

Një ventilator përbëhet nga tre pjesë, ose etapa të rëndësishme. Etapa e parë është miksimi i oksigjenit dhe ajrit në kushte atmosferike nga dy instrumenta mekanike që përcaktojnë gazrat në masë si litër për minutë. E lidhur me këto dy instrumente mekanike është një kalibrator që detyra e vetme është të lexojë përqindjen e oksigjenit në masën e gazrave që instrumentet mekanike miksojnë. Etapa e dytë konsiston që ky miksim i gazrave, nëpërmjet një tubi, kalon në pajisjen kryesore të ventilatorit. Pajisja e ventilatorit përmban një ekran dhe dy tuba të tjerë që lidhen direkt me pacientin. Në etapën e dytë doktori vendos dhe programon përqindjen e oksigjenit si dhe presionin që duhet të kalojë tek pacienti. Etapa e tretë është kur pacienti nxjerr ajrin nga mushkëritë, ku më pas po ky ajër kalon nëpërmjet një tubi tjetër të caktuar, që nëpërmjet një instrumenti elektro-mekanik lexon presionin, volumin dhe përqindjen e oksigjenit.

Pse nuk ka mjaftueshëm ventilatorë në treg? Cilat janë vështirësitë në prodhimin e tyre?

Duhet theksuar që pas çmimit të kushtueshëm, që një spital të marrë një ventilator funksional dhe të kualifikuar, përbëhet nga një zinxhir prodhues në fabrika të ndryshme, që prodhojnë nga pjesët më të vogla që janë pjesë të dizenjimit. Gjermania ka ndër kompanitë më të mëdha në fushën e mjekësisë, siç njihet si “Drager”. Një ndër arsyet se pse Gjermania është vendi që ka më të pakta në numër rastet fatale të të infektuarve nga COVID-19 është se qeveria gjermane dha një urdhër ekzekutive në fillim/mes të muajit mars, që kompanitë të angazhuara në luftën kundër kësaj pandemie, nuk lejohen të shesin ventilatorë, apo pajisje të tjera jashtë Gjermanisë.

Kompania ku ju punoni rezulton në listën e atyre kompanive të vlerësuara si “prioritare” dhe që sipas urdhrit të Presidentit Trump duhet të prodhojë në këtë periudhe pajisje shëndetësore, konkretisht ventilatorë. Cili është kapaciteti prodhues ditor i kompanisë tuaj dhe cila është kostoja e prodhimit për një ventilator?

Për momentin, të gjitha kompanite në SHBA që janë kualifikuar si “prioritare” përbëjnë një funksion efikas dhe të rëndësishëm në industrinë e mjekësisë, në këtë rast në luftën kundër COVID-19. Kapaciteti prodhues është në rritje e sipër, pasi ne prodhojmë pjesë dhe instrumenta funksionalë për kompani në rang ndërkombëtar. Kostoja e një ventilatori është e ndërlikuar, pasi varet se sa opsione një spital kërkon që të kontrollojë, apo të programojë. Në përgjithësi për koston ne mund të shikojmë të shkoj nga 25,000 dollarë, deri në $50,000 dollarë.

A ka kapacitete Shqipëria që të prodhojë të tillë? Çfarë investimi duhet?

Me thënë të drejtën nuk jam shumë i njohur tamam që të bëj një arsyetim përcaktues nëse Shqipëria ka kapacitet e mjaftueshme. Por, mund të them lirisht se nuk besoj se Shqipëria ka mungesë për kompanitë që prodhojnë produket me materiale të kualifikuara që mund të përdoren në produkte për pacientë në industrinë e mjekësisë. Por, që ky rang prodhuese i kompanive dhe fabrikave kërkon kohë mjaft të gjatë që të jetë përbrenda standardeve inxhinierike në këtë fushë.

SHBA është vendi me numrin më të madh të të prekurve dhe shifrat që raportojnë mediat janë dramatike. Si është situata aty ku jetoni ju? A ka të prekur mes komunitetit shqiptar?

Për momentin, pjesa e Nju Jorkut është vendi që ka hasur incidentet dhe numrat më të larta në lidhje me COVID-19. Unë jetoj në Filadelfia të shtetit Pensilvanisë, që është rreth dy orë larg qytetit të Nju Jorkut. Por dhe në Filadelfia ka pasur rreth 7130 të shtruar dhe rreth 200 vdekje. Organizata shqiptare me qendër në Filadelfia, “Bijte e Shqipes” po e mbikëqyr këtë situatë mjaft afër duke qëndruar në kontakt me shqiptarët që jetojnë në këtë qytet. Fatmirësisht, deri tani nuk kam informacion që ka pasur të prekur mes komunitet shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë