Ngjarje

Pagesat e pensioneve, Sigurimet sqarojnë: Shpërndarja do vijojë e njëjtë, digjitalizimi prek bankat

Pagesat e pensioneve, Sigurimet sqarojnë: Shpërndarja do vijojë e njëjtë, digjitalizimi prek bankat

Nga Gazeta Si- Pensionistët do të vijojnë t'i marrin pensionet njësoj si deri më sot, sipas alternativave që kanë zgjedhur, dikush në sportelet e postës, dikush në bankë apo dikush me postier në shtëpi.

Alarmi për nisjen nga data 2 prill të shpërndarjes së pensioneve në bankë, duket se ka qenë i rremë pasi vetë Sigurimet Shoqërore në një prononcim për Gazetasi.al kanë sqaruar tymnajën mbi këtë.

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore, në bazë të ligjit  “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, llogaria e pagesave me shërbime bazike do t’iu ofrohet konsumatorëve në Shqipëri nga të gjitha bankat, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit dhe historikut të aftësisë paguese.

Për mbajtësit e kësaj llogarie, bankat duhet të ofrojnë disa shërbime bazike të pagesave pa aplikuar tarifa ose kundrejt një tarife të arsyeshme.

“Nga ana e sigurimeve shoqërore, shpërndarja e pensioneve nuk ndryshon, por për ata pensionistë që tërheqin pensione në bankë, bankat duhet të ofrojnë të gjitha shërbimet bazike të pagesave me tarifë zero, për kategoritë të cilët përfitojnë nga programet dhe politikat për skemat e ndihmës ekonomike dhe sociale sipas legjislacionit përkatës në Republikën e Shqipërisë”, thanë burimet zyrtare për Gazetasi.al.

Nga ligji për “Llogarinë e pagesave me shërbime bazike” përfitojnë personat që marrin pagesën e papunësisë, familjet dhe individët të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike, përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personalë të tyre; individët përfitues të statusit të invalidit dhe ndihmësit personal të tyre, individët përfitues të statusit të të verbrit dhe ndihmësit personal të tyre, invalidët e punës, jetimët, përfituesit e masës së financimit për fëmijën e vendosur në familje kujdestare me vendim gjykate, përfituesit e pensionit social, përfituesit e pensionit të pleqërisë, përfituesit e invaliditetit, si dhe përfituesit e pensionit të invaliditetit të përhershëm për shkak të aksidentit në punë dhe sëmundjeve profesionale, përfituesit e pensionit familjar dhe përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë.

Ky ligj përfshin shërbime që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, funksionimin dhe mbylljen e një llogarie pagesash, shërbime që mundësojnë depozitimin e fondeve në një llogari pagesash, shërbime që mundësojnë tërheqjen e fondeve nga një llogari pagesash brenda Shqipërisë në sportele ose në ATM gjatë ose jashtë orarit zyrtar të punës së bankave si edhe ekzekutimin e transaksioneve të pagesave brenda territorit të Shqipërisë, ku përfshihen debitimet direkte, transaksionet e pagesave përmes një karte (përjashtuar transaksionet e pagesave me karta krediti), përfshirë pagesat online, transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale, në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave online.

Aktualisht në të gjithë vendin, janë 73.950 pensionistë që marrin pensionin përmes bankave dhe 666.300 e marrin në postë.

Përfituesit e shërbimeve me zero komision në banka, janë 10 % e pensionistëve të cilët e tërheqin pensionin në bankë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë