Gazeta Si – Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro është paraqitur në SPAK paraditen e kësaj të mërkure, ku është pyetur për rreth 3 orë.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ai ka deklaruar se ka qenë në SPAK për të dhënë shpjegime, pa specifikuar se për çfarë konkretisht.
Kjo është hera e dytë që Goro merret në pyetje nga SPAK, ku për herë të parë në 5 tetor 2023, dyshohet se u thirr në pas një kallëzimi të ngritur nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri për shpërdorim detyre.
Më konkretisht, bëhet fjalë për abuzim me tenderët për çështjen e resortit që po ndërtohet nga bashkëshorti i Olta Xhaçkës, ish-ministres së Jashtme në një zonë pranë Himarës si investitor strategjik.
Ndaj Goros janë bërë dy kallëzime penale, njëra prej të cilave nga Fredi Beleri, kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, i cili ndodhet në burg.
Beleri i referohet auditimit të KLSH në Bashkinë e Himarës për vitet 2019-2021, ku sipas tij janë gjetur shkelje të ligjeve në procedurat e tenderimeve publike, mosmbledhjes së të ardhurave, mospasqyrimit të drejtë të të ardhurave dhe debive në buxhetin e bashkisë dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.
Jorgo Goro është kryetar në detyrë i Bashkisë Himarë, pasi Fredi Beleri ndodhet në burg pasi u arrestua nën akuzën për shitblerje votash në zgjedhjet e 14 majit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




