Menaxhim

Pacolli humbet administrimin e aeroportit të Vlorës

Nga Gazeta Si- Gjykata e Apelit ka përjashtuar nga administrimi i Aeroportit të Vlorës Behgjet Pacollin deri në gjykimin në themel të konfliktit mes tij dhe ortakut Valon Ademi.

Ndërsa “Mabco” e Behgjet Pacollit dhe “2A Group” e Valon Ademit, dy ortakëve të shoqërisë VIA, që ka marrë përsipër ndërtimin e aeroportit të Vlorës, prej kohësh vijojnë me betejat gjyqësore, vendimi i Apelit ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

Apeli ka konfirmuar masën e Gjykatës së Shkallës së Parë që kishte përjashtuar kompaninë Mabco nga e drejta e votës dhe administrimit në shoqërinë koncesionare ‘Vlora International Airport’ duke e lënë administrimin e aeroportit në dorën e Valon Ademit.

Gjithçka ka nisur muaj më parë.

Edhe pse kompanitë e dy ortakëve kanë firmosur një kontratë noteriale ku Ademi merrte 47 për qind të aksioneve, kjo kontratë nuk është regjistruar në QKB dhe sipas Ademit që drejton ‘2A Group’, ortaku Pacolli, i “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo si “VIA”.

Në qendër të konfliktit janë dy aksionerët kryesorë të projektit: Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi. Përplasja mes tyre ka përfunduar në dyert e gjykatës, e cila aktualisht ka bllokuar çdo lëvizje mbi aksionet e kompanisë koncesionare.

Valon Ademi, aksioneri i minorancës, e ka akuzuar publikisht Pacollin për mashtrim, ndërsa thelbi i konfliktit lidhet me ndarjen e aksioneve: zyrtarisht Ademi zotëron 2%, por pretendon 47%, duke u mbështetur në një kontratë noteriale të firmosur pas largimit të grupit turk “YDA” nga koncesioni.

Grupi “YDA”, që zotëronte 40% të aksioneve, ia shiti ato kompanisë “Mabco” të Pacollit për shumën simbolike prej 4,200 eurosh. Në të njëjtën ditë, “Mabco” dhe “2A Group” e Ademit firmosën një marrëveshje të re që përcaktonte një ndarje 53% me 47% të aksioneve.

Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke krijuar një vakum ligjor që ka thelluar konfliktin dhe ka bllokuar funksionimin normal të kompanisë.

Ndërkohë, përplasjet kanë sjellë pasoja direkte në drejtimin e projektit: administratori i parë u shkarkua, ndërsa i dyti dha dorëheqjen, duke e lënë aeroportin në një situatë pasigurie institucionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë