Nga Gazeta Si- Mohimi i të drejtës për shërbimet shëndetësore, rritja e dhunës në familje dhe diskriminimi racor janë disa nga shqetësimet që nxjerr në pah “Amnesty International”, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në raportin vjetor për Shqipërinë.
Një nga gjetjet më shqetësuese është se pacientëve me kancer u është mohuar qasja në kujdes shëndetësor falas në Spitalin Nënë Tereza në Tiranë. Si shembull përmendet rasti i mjekut Edmond Gashi, ku disa pacientë që kishin nevojë për trajtim për kancer i transferoi nga ‘Nënë Tereza’ tek klinikat private me pagesë.

Gjithashtu, Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore theksoi shqetësimet në lidhje me pamjaftueshmërinë në infrastrukturën e kujdesit shëndetësor, mungesën e personelit, mungesën e aksesit në shërbime të specializuara për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe shpërndarjen e pabarabartë të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, veçanërisht në zonat rurale.
Një tjetër shqetësim është edhe dhuna seksuale e me bazë gjinore.
Policia raportoi se, në gjashtë muajt e parë të 2024, 686 gra ishin dhunuar nga familjarët e tyre, një rritje prej 30 rastesh krahasuar me vitin 2023.
Një studim në maj theksoi se mungesa e mbështetjes institucionale i detyroi viktimat e dhunës në familje të ktheheshin te abuzuesit e tyre.
“Komiteti i OKB-së për ESC theksoi se procedura për marrjen e ndihmës ligjore falas duhet të rishikohet për të siguruar akses më të mirë për viktimat e dhunës në familje”, thuhet në raport.
Në raport është përfshirë edhe trajtimi që u bëhet të paraburgosurve me probleme psikiatrike, duke u cilësuar si mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.
Në janar, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës shprehu përsëri shqetësime në lidhje me kushtet e jetesës së pacientëve të mjekësisë ligjore psikiatrike në paraburgim. Në objektin e përkohshëm që strehon pacientët psikiatrikë brenda Burgut të Lezhës, Komiteti ishte i shqetësuar për mbipopullimin, mungesën e stafit mjekësor dhe infrastrukturën e dobët.

“Nënkomiteti i OKB-së për Parandalimin e Torturës raportoi një numër të lartë njerëzish në paraburgim dhe qasje të pamjaftueshme në kujdes shëndetësor për njerëzit në paraburgim.
Një trajtim të ngjashëm marrin edhe pakicat në vendin tonë.
Në prill, Komiteti i CERD-it theksoi sfidat e vazhdueshme për romët dhe egjiptianët, duke përfshirë vështirësitë në marrjen e dokumenteve të regjistrimit të lindjes dhe identitetit, si dhe qasjen në shërbimet publike. Komiteti gjeti prova të ndarjes dhe diskriminimit të fëmijëve romë dhe egjiptianë në disa shkolla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.