Lojëra me Dore

Pabarazia në trajtimin e protestuesve, basketbolli proteston sërish në SHBA

Miami-Boston nuk ishte një ndeshje si të tjerat dhe motivi nuk lidhet me vlerën e padiskutueshme të dy skuadrave. Motivi ka të bëjë me impenjimin e lojtarëve të NBA-së ndaj çështjeve sociale dhe vullnetit të tyre për të bërë ato ndryshime që duken ende larg për t’u konkretizuar.

24 orët e fundit kanë qenë të trazuara për Amerikën, çka është reflektuar edhe në basketboll. Vendimi i marrë të martën nga prokurorët për të mos akuzuar formalisht tre agjentët e policisë të përfshirë në sulmin me armë të 23 gushtit 2020, ku u qëllua Jacob Blake, që atëherë i paralizuar, ka sjellë pakënaqësi. Ai episod ishte domethënës për lëvizjen “Black Lives Matter”, që solli pezullimin e përkohshëm të “Play-off”-it në Disney World. Tensionit iu shtua edhe dhuna e së mërkurës në Washington nga mbështetësit e Donald Trump, të cilët protestonin kundër certifikimit të fitores së presidentit Joe Biden.

Ajo që i shqetëson lojtarët, përveçse ishte një episod i rëndë në terma etikë dhe moralë, ka të bëjë me pabarazinë e dukshme të trajtimit të afroamerikanëve dhe minorancave të tjera në raport me manifestuesit e tjerë. Edhe pse NBA dhe NBPA, shoqata e lojtarëve, nuk kishin diskutuar për shtyrjen e 11 ndeshjeve në program, lojtarët e Miami dhe Boston donin të jepnin një mesazh të fortë, pa cënuar zhvillimin normal të ndeshjes.

Protesta e Miami dhe Boston para ndeshjes. Gazeta Si, 7 janar 2021

Pas një mbledhjeje që zgjati 45 minuta në dhomat e zhveshjes së Heats, dy skuadrat dolën me vonesë në parketin e “American Airlines Arena”, për të ikur sërish që aty. Dy skuadrat u kthyen së bashku në shenjë proteste dhe më pas kanë shpërndarë një komunikatë me një përmbajtje specifike.

“Ka nisur viti i ri 2021, por disa gjëra nuk kanë ndryshuar. Po e luajmë ndeshjen e sotme me zemër të thyer pas vendimit në Kenosha dhe pasi kemi mësuar se protestat në kryeqytetin e kombit tonë janë trajtuar në mënyrë tjetër nga liderët politikë, sipas interesit të tyre. Diferenca drastike mes mënyrave si janë trajtuar manifestuesit e pranverës së shkyar dhe ata të sotmit, që po veprojnë duke shkelur ligjet, me dhunë, tragon qartë se sa punë kemi për të bërë.

Kemi vendosur të luajmë, duke u përpjekur të sjellim gëzim në jetën e njerëzve. Por nuk duhet të harrojmë padrejtësitë në shoqërinë tonë dhe duhet ta ngremë zërin për t’i vënë më shumë në dukje këto probleme. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi që të kemi një Amerikë më të drejtë”, - shkruhet në komunikatë. Gjatë himnit kombëtar, lojtarët u ulën në gjunjë, duke mbajtur qëndrim: “Black Lives Still Matter”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë