Mode

Pa muzikë, me dhimbje dhe solidaritet. Giorgio Armani dhe sfilata e heshtur

Giorgio Armani ka vendosur të mos ketë muzikë në sfilatën e fundit në Javën e Modës në Milano.

“Ne nuk mund ta injorojmë tragjedinë që po shpaloset rreth nesh. Kjo nuk do të thotë se duhet të ndalemi, por mendoj se nuk është rasti të festojmë”, tha Giorgio Armani, duke shpërthyer në një emocion të fortë. Armani, zakonisht serioz dhe i ftohtë, tregoi veten të brishtë, njerëzor.

“Mendoj mbi të gjitha për fëmijët”.

Para fillimit të shfaqjes së Giorgio Armani, u lexua një deklaratë nga stilisti në anglisht: "Vendimi im për të mos përdorur asnjë muzikë në shfaqje është një shenjë respekti për njerëzit e prekur nga lufta”.

Ai ishte stilisti i parë i Javës së Modës që përdori drejtpërdrejt shfaqjen e tij si një platformë për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Teksa modelet ecnin përgjatë pistës së vogël, në vend ishte heshtje totale.

Armani tha se nuk donte muzikë në shfaqje për të dhënë sinjalin se nuk është askush i lumtur dhe që të gjithë duhet të kuptojnë se po ndodh diçka shumë shqetësuese në botë.

“Mendoj se rrobat u bënë edhe më të bukura përmes heshtjes”, tha ai.

Ai tregon se disa orë para fillimit të shfaqjes, “pyeta veten se çfarë mund të bëja për të treguar mbështetjen time në dritën e asaj që po ndodh. Doja shumë të tregoja se zemra ime është me njerëzit në Ukrainë. Më duhej të gjeja një mënyrë për të treguar se ne nuk po festojmë këtu. Kështu që, i thashë ekipit tim se nuk doja muzikë në shfaqje. Të gjithë u prekën dhe besoj se si në prapaskenë ashtu edhe në pasarelë, heshtja ishte më e zhurmshme dhe shumë më me ndikim se çdo lloj muzike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë