Komunitet

Pa libra, mos i *** – Postimi i ministres që e shndërroi fushatën e leximit në virale

E dashura ime,
Na lipset t’i kthejmë librat sërish në të hatashëm. Nëse shkon në shtëpi me dikë dhe nuk ka libra, mos e q*. Mos e lër të të eksplorojë derisa të ketë eksploruar universin e fshehtë të librave. Mos e lër të hyjë në kontakt me ty derisa të ketë ecur përmes rreshtave të faqeve.
Librat janë të hatashëm, nëse të duhet të përmbash veten nga dikush një grimë, në mënyrë që ata ta kuptojnë këtë, atëherë bëje.
I yti,
John Samuel Waters.

Kjo letër, e cila mendohet se është shkruar nga shkrimtari, regjisori, skenaristi dhe gazetari amerikan, e që qarkullon kaherë në internet – në oqeanin e madh e të panjohur ku shprehjet, citimet, frazat e shkëputura prej librash, shkrimtarësh e njerëzish të famshëm lundrojnë në virtualitet shpesh duke humbur autorësinë apo edhe duke iu mveshur gabimisht të tjerëve, u bë kryefjala virale e thuajse çdo postimi në rrjetet sociale nga qytetarët, të cilët kishin mbetur të habitur me një shprehje të postuar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në profilin e saj, në Twitter. “We need to make books cool again. If you go home with somebody and they don't have books, don't fuck them”, shkruante ministrja, duke e lidhur këtë shprehje “cool” për brezin e smartphone-ëve dhe leximeve online, me Lëvizjen Kombëtare për Lexim, të prezantuar vetëm pak ditë më parë.

Postimi i ministres Mirela Kumbaro në Twitter 


Nëse do të funksiononte strategjia e marketingut, se edhe reklama e keqe, mbetet sërish reklamë, ky status që u bë viral me shpejtësinë e internetit, arriti atë që kjo fushatë nuk e arriti dot në tre vjet; të flitej gjerësisht për të.
Fotografi me biblioteka personale, rafte librash në shtëpi shoqëruar me diçitura qesëndisëse, nisën të qarkullonin me shpejtësi në rrjetet sociale.


“Ta dijë Mirela sa libra kam unë në shtëpi, me emëron përfaqësues të përhershëm të Shqipërisë në Bienalen e Venecias…”, shkruante regjisori Kastriot Çipi në faqen e tij të Facebook, ndërsa Lolita, një faqe e cila është popullore për trajtimin ironik që u bën personazheve të politikës dhe fenomeneve sociale e ekonomike në Shqipëri, shkruante: “Lajme të mira! Ministrja jonë është një #sapiosexual”, duke iu referuar sjelljes psikologjike kur, një individ tërhiqet apo eksitohet seksualisht nga inteligjenca dhe përdorimet e saj.
“Do të shkojmë në shtëpinë time? - e pyet ajo. Ke libra në shtëpi? - e pyet ai. Kam plot, - i thotë ajo. Metoo#, - i thotë djali dhe thërret policinë”, shkruante në faqen e tij të Facebook, Shkrimtari dhe përkthyesi Rudi Erebara. Edhe skenaristi Edi Oga nuk e ka kursyer ironinë e tij mbi fenomenin, duke shkruar “Eja në shtëpinë time. Do lexojmë një libër me figura!Cilin libër?!- Kumbarsutra!”.


Edhe aktori Gent Bejko ka reaguar me një postim duke shkruar “ E dashur Ministre: kur thua If you go home… i bie të shkosh me tjetrin në Shtëpinë Tënde e jo të tjetrit! Pra rrjedhimisht… Harroje që të arrish t’ia verifikosh bibliotekën pa e fuckur në shtëpinë e tij. Home ndryshon nga House. Kot them unë se nuk marr vesh shumë nga inglezçja” , ironizon Bejko, i cili prek disa vitesh jeton dhe punon në Kanada.
Ndërsa një përdorues i Twitter, Bershimi, shkruan “If you have an #culture gouverner that do Copy/Paste #4 every single #initiative Don't fuck her/him”, duke përdorur hashtagun #Lëvizje Kombëtare për Lexim.
“Do të vish nga unë për libra e seks? Jo, si është puna? Nuk të pëlqejnë librat?”, shkruante gazetari Alfred Lela, ndërsa Briken Fejzullai, i njohur ndryshe edhe si kryebashkiaku i natës, shkruante “S’guxo robi me ftu i shoqe n’shpi për me bo dy pare muhabet, se sa i zejn syt' librat e tu, t’fut llapën n’fyt.”

Në platformën Amazon, shitet një i tillë me shprehjen që i atribuohet autorit amerikan. 


Përtej përmbajtjes, duket se shqiptarët e hapësirës virtuale u angazhuan edhe të zbulonin se kujt i përkiste shprehja, të cilën ministrja e kishte shkruar pa kreditet e autorit. Me një kërkim të thjeshtë në Google, shprehja i atribuohej shkrimtarit amerikan, por edhe pse shfaqej në disa faqe interneti, askund nuk dilte burimi origjinal se ku Waters e kishte shkruar apo konteksti i shprehjes, duke e bërë jo krejt të sigurt autorësinë, në botën virtuale të “copy –and-paste” të rrufeshme, megjithëse një tjetër shkrimtar i njohur amerikan, shumë i dashur për admiruesit e zhanrit të horrorit, Stephen King, në një postim të tijin në Twitter, citonte shprehjen e kolegut të tij, Waters. “Bluza ime nga Shakespeare &Co, në Missoula ka një citim nga John Waters. “Nëse e çon dikë në shtëpi dhe nuk kanë libra, mos e q*”.


Ministrja Kumbaro nuk ka reaguar për të dhënë sqarime të mëtejshme, se përse zgjodhi të përdorë këtë shprehje, të zhveshur nga protokollet apo formalitetet ministrore, por e sigurt është që fushata e këtij viti, e menduar si një lëvizje, që nuk do të mjaftohet vetëm me disa aktivitete në një muaj, por do të shtrihet përgjatë vitit, arriti të bëhet e njohur. Mbetet të shihet, nëse kjo shprehje do të ketë efekt edhe tek një milion shqiptarët, e statistikave, që vitin e kaluar nuk kanë lexuar asnjë libër. A do të vihen në sedër?
Një tjetër shprehje e autorit amerikan, që u bë kaq popullor brenda dy ditëve në hapësirën shqiptare, në lidhje me librat thotë “Koleksiono libra, edhe nëse nuk ke në plan t’i lexosh. Asgjë nuk është më e rëndësishme sesa një bibliotekë e palexuar”. Çështja duket se nuk është më dilema alla hamletiane “Të lexosh a të mos lexosh? ” , tani libri përtej sferës kulturore, zbret në fushën ekzistenciale e biologjike…”pa libra, nuk ka më kënaqësi seksuale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë