Ngjarje

Pa gjyqtarë – Si ra Gjykata e Lartë

Këtë të premte Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh duke pasur sërish në axhendë Gjykatën e Lartë. Pas mbylljes së garës për kandidatët jo gjyqtarë që konkurruan për t’u ulur në tre vende të mbetura bosh në gjykatën supreme, anëtarët e KLGJ do vendosën relatorët për secilin nga 21 pretendentët.

Relatorët në muajt në vijim do të drejtojnë “kontrollin “për secilin nga garuesit, sipas një sistemi filtrues që e ngarkon KLGJ-në për kontrollin e trefishtë të atyre që vijnë nga radhët jashtë gjyqësore. Kjo mbledhje është thirrur për të fituar kohë , për të orientuar punët e administratës për seleksionimin e dokumentacionit të kandidatëve jo gjyqtarë teksa anëtarët e KLGJ-së do shfrytëzojnë gushtin për të pushuar larg andrallave gjyqësore.
Por menjëherë sapo të kthehen në vjeshtë, anëtarët e KLGJ-së do kenë gati materialin ndaj pretendentëve të cilët më tej i nënshtrohen “Vettingut “ të veçantë jo nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit , por nga vetë KLGJ. Megjithatë qeveria e gjyqësorit nuk dihet ende se kur do ta ngrejë siparin edhe për garën e gjyqtarëve që plotësojnë kriteret për të konkurruar për 16 vendet vakante për këto kuota, diçka e tillë në të vërtetë do të sillte mbushjen e Gjykatës së Lartë me gjyqtarë të mirëfilltë dhe jo sikundër ka nisur plotësimi i vakancave me pretendentë që do të jenë nga sistemi jashtë gjyqësor .
Këtë përshtypje ta lë lista e 21 garuesve, pjesa më e madhe e të cilëve janë avokatë dhe juristë, apo edhe figura të njohura që dikur kanë qenë pjesë e sistemit dhe kanë prekur majat e drejtësisë qoftë pranë akuzës qoftë pranë kushtetueses. Nëse KLGJ vonohet dhe e hap ne vjeshtë garën për 16 vendet që do të dërgonin drejt gjykatës së lartë gjyqtarë të mirëfillë që janë në sistem, atëherë pritet të ndodhë që gjykata e lartë e rindërtuar pas furtunës së vettingut , ta nisë punën me treshen e parë që do të vijë nga jashtë gjyqësori.

Diçka jo fort e pëlqyeshme si nisje, ndonëse mes tyre ka ekspertë të reformës apo edhe profesorë të jurisprudencës. Por përtej parashikimeve, e tashmja e Gjykatës së Lartë është 18 vende bosh me  një karrige të zëna me afat të shkurtër.

Deri në ora 11:00 të ditës sotme Gjykata e Lartë kishte 2 gjyqtarë në detyrë, por Kolegji i Posaçëm i Apelimit përjashtoi kryetarin e saj Xhezair Zaganjorin.

I vetmi i mbetur është gjyqtar i lartë në detyrë është Ardian Dvorani, me kompetenca të shpërndara për sa kohë ai drejton edhe një institucion tjetër siç është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Pas largimit të Zaganjorit kjo Gjykatë zyrtarisht del  jashtë loje  dhe njëkohësisht rrit volumin e dosjeve që kanë prekur tavanin e Arkivës.

Adrian Dvorani

Numri i dosjeve të pashqyrtuara ka shkuar në 33 mijë, mes tyre më urgjentet ato të ekstradimeve, që në rastin më të keq, nëse nuk shqyrtohen , i pari që do të shikojë lirinë do ta përfitojë këtë bonus nga shembja e Gjykatës së Lartë mëngjesin e datës tetë gusht 2019. Të tjerët në vazhdim të gushtit dhe në shtator. Pa llogaritur indianin e zbuluar së fundmi për super mashtrimin në vendin e tij, në total janë 5 trafikantë të kërkuar nga Italia të cilëve drejtësia do tu dhurojë drejtësinë. Por KLGJ mendon se do ta riparojë përkohësisht këtë defekt duke caktuar gjyqtarë të veçantë për gjykimin e tyre, megjithëse pas këtij vendimi për këtë zgjidhje provizore nuk është hedhur ende shorti që do zgjidhte nga apelet “shpëtimtarët” nga turpërimi i drejtësisë.

Si ra Gjykata e Lartë?
Edhe pse duket sikur vettingu është shkaktari kryesor i boshtatisjes së Gjykatës së Lartë, në fakt goditja e gjykatës “supreme” kishte nisur disa muaj para se të hynte ne fuqi ligji, sipas të cilit do kryhej rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Deri në vitin 2013 gjykata e lartë përbëhej nga 17 gjyqtarë të lartë. Por që të arrije në krye të shkallës së tretë të gjyqësorit, rrallë ka ndodhur që të kalohej pa zhurmë. E gjitha kjo për shkak të politikës , e cila mundësoi gjatë dy dekadave të fundit kapjen e “Olimpit” të gjykatave përmes emërimeve preferenciale të saj. Dhe në shkëmbim Gjykata e Lartë vërtetoi besnikërinë ndaj politikës përmes verdikteve që shpëtuan nga fajësia disa prej tyre. në vitin 2013 ishin në detyrë 17 gjyqtarë. Ligji premtoi rritjen e pragut duke e çuar organikën në 19 gjyqtarë, por në fakt ndodhi e kundërta.

Xhezair Zaganjori

I pari kryetari i saj Xhezair Zaganjori ,  I pari kryetari i saj Xhezair Zaganjori , emëruar nga radhët e jo gjyqtarëve në vitin 2013 me dhënie pëlqimi nga Kuvendi. Pas një beteje njëvjeçare me procesin e Vettingut, ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të 2018 e vlerësoi pozitivisht, sot Komisioni i Posaçëm i Apelimit mori vendimin përfundimtar për shkarkimin nga sistemi i drejtësisë të kryetarit të Gjykatës së Lartë. Pasuria e paluajtshme e krijuar ndër vite sipas KPA-së ishin krijuar me burime të pajustifikueshme, si dhe shkollimi i fëmijëve.


I dyti Ardian Dvorani, i konfirmuar në detyrë, u emërua sipas dekretit të presidentit në vitin 2005 dhe është gjyqtari i lartë më jetë gjatë në këtë gjykatë. Prej pesë vitesh atij i ka përfunduar mandate nëntëvjeçar, por për shkak të vakancës vazhdon në detyrë edhe pse angazhimi i tij jashtë mandatit u bë shkak edhe për të vendosur në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Pozicioni i tij konsiderohet i lirë dhe zëvendësimi i tij kryhet me 3 gjyqtarët e ardhshëm që do të emërohen ndoshta në muajin dhjetor .

Medi Bici`

I treti, Medi Bici, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. U konfirmua në detyrë nga Vettingu, por u zgjodh për të përfaqësuar Gjykatën e Lartë në KLGJ. Por ai për tre vitet e ardhshme nuk mund të ushtrojë asnjë detyrë si gjyqtar i lartë deri sa të mbarojë detyrën si anëtar i KLGJ. Bici u dekretua si gjyqtar i lartë në 2010 dhe mandati nëntëvjeçar i është pezulluar ndaj edhe pozicioni i tij konsiderohet i lirë.

Majlinda Andrea

Majlinda Andrea e mori në 2008 me pëlqimin e Kuvendit vendin si gjyqtare e lartë. Por e la këtë detyrë me vendim të kolegëve të saj që e shpallën fajtore për çështje korrupsioni dhe e dënuan me shërbim prove. Vendi i saj është bosh që prej 14 qershorit 2017.
Ardian Nuni u mandatua si gjyqtar iu lartë në 2007 dhe e mbajti këtë detyrë fiks deri ditën që i përfundoi mandati. Nga 21 prilli 2016 vendi i tij në këtë Gjykata është i lirë.

Mirela Fana

Mirela Fana është e para gjyqtare e lartë që dha dorëheqjen ditën që hyri në fuqi ligji i vettingut. E dekretuar në gjykatën e lartë në 23 prill 2009, ajo dha dorëheqjen në 31 janar 2017 pra një vit para se t’i përfundonte mandate nëntëvjeçar duke lënë një vend bosh
Arjana Fullani, u mandatua si gjyqtare e lartë në datë 8 korrik 2008 dhe fiks nëntë vjet më pas në qershor 2017 sapo përfundoi mandatin hoqi dorë nga e drejta për tu caktuar në një pozicion të lirë në gjykatë apeli. Gjithashtu vendi i saj konsiderohet bosh në Gjykatën e Lartë.

Arjana Fullani

Në grup, si anëtares Arjana Fullani iu përfundoi mandati në të njëjtën ditë pasi ishin dekretuar në të njëjtën datë me të edhe Guxim Zenelajt, Andi Çelikut, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako. Ata e dorëzuan mandatin e përfunduar pranë Kolegjeve të Bashkuara të cilat në të njëjtën datë pra në 29 qershor 2017 deklaruan fundin e mandatit të tyre. Më pas siç kishte vepruar edhe me Fullanin edhe për këta të katërt Këshilli i Lartë Gjyqësor u konfirmoi përfundimin e statusit të magjistratit pasi kishin hequr dorë nga e drejta për të zënë një vend në Gjykatat e Apelit. Largimi në grup i këtyre pesë gjyqtareve të cilët e lexuan ligjin ndryshe nga kolegu Dvorani (që mendon se do të qëndrojë në detyrë derisa të zëvendësohet) krijoi gropën e parë të zezë në gjykatën e lartë. Më pas gjithçka ka emrin e vettingut

Shkëlzen Selimi, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit

Shkëlzen Selimi u shkarkua me vendim të formës së prerë në shkurt 2019. Komisioni i Pavaruar të Kualifikimit dhe Opercacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë zbuluar lidhje të shumfishta midis anëtarit të Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi dhe krimit të organizuar.

Admir Thanza

Admir Thanza, të cilit i mbaronte mandat në 2022, u shkarkua në 18 prill 2019 me vendim të formës së prerë. Ai është i vetmi gjyqtar që ishte i dënuar vite më parë në Itali, por që nuk e kishte deklaruar.

Artan Zeneli

Artan Zeneli, që i mbaronte mandati në 2021 u shkarkua me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posacëm i Apelimit

Tom Ndreca

Tom Ndreca të cilit i mbaronte mandate në 2022 u shkarkua me vendim të formës së prerë nga vetting
Edmond Islamaj, të cilit i mbaronte mandat në shtator 2019, ndonëse u konfirmua nga shkalla e parë edhe ai u shkarkua nga KPA

Edmond Ismailaj

Artan Broci, të cilit i përfundonte mandati në 2021, u shkarkua me vendim të formës së prerë në korrik, edhe vendi i tij është bosh

Artan Broci

Pas shkarkimit të Zaganjorit, “i fundmi i Moikanëve “do të jetë Ardian Dvorani, i cili në fakt nuk ka asnjë mandat për të qëndruar në detyrë, ashtu sikundër edhe Vitore Tusha e Gjykatës Kushtetuese të cilës i ka përfunduar koha, por qëndron në detyrë sepse është e vetmja që fitoi betejën me Vettingun. Dhe dikush duhet për t’i fikut dritat kur përfundon orari zyrtar .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë