Grupi i afganëve të mbërritur së fundmi në Shqipëri, prej 37 personash, kanë qenë kryesisht aktiviste femra të shoqëruara nga familjarët e tyre.
Media saudite Al Arabiya, në versionin e saj anglisht, ka publikuar detaje në lidhje me avionin e mbërritur një ditë më parë në Rinas.
Burime nga qeveria shqiptare, deklaruan për Al Arabiya-n se avioni transportonte gra afgane dhe familjarë të tyre, të cilat janë nxjerrë nga Kabuli falë ndihmës së një OJQ-je të themeluar nga ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
Evakuimi nga aeroporti i Kabulit, i cili ka parë skena kaotike që nga marrja e qytetit nga ana e talibanëve më 15 gusht, nuk ka qenë i lehtë.
Pas mbërritjes në Rinas, disa të evakuuar kishin nevojë për kujdes mjekësor gjatë mbërritjes për shkak të lëndimeve të lehta të shkaktuara nga shtypja e turmës.
Në fakt, grupi prej 37 afganësh mbërritën në Shqipëri pa bagazhe, pasi forcat ushtarake amerikane i kanë ndaluar ata që t’i marrin ato në bord për të ulur peshën në avion.
Al Arabiya raporton se disa prej tyre kishin pritur në aeroportin e Kabulit deri në dy ditë për t’u nisur drejt Shqipërisë.
Fluturimi privat u caktua nga “Vital Voices”, një OJQ e themeluar nga Hillary Clinton dhe Madeleine Albright (ish-Sekretare e Shtetit në periudhën 1997-2001), me qëllim mbrojtjen e të drejtave të grave.
Deri më tani, në Shqipëri kanë mbërritur 644 refugjatë afganë, të cilët duhet të qëndrojnë përkohësisht, deri në përfundimin procedurave për marrjen e vizës amerikane.
Ata janë vendosur në konviktet e Qytetit Studenti në Tiranë dhe në strukturat hoteliere në zonat bregdetare të Durrësit dhe Shëngjinit. Shumica e afganëve të sapoardhur synojnë të zhvendosen në SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.