Kosova

Osmani në SHBA: Investimi amerikan në Kosovë, në përputhje me objektivat e administratës së re

Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë vizitës në SHBA, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e anëtarësimit në NATO në një takim në Departamentin e Shtetit.

Në takimin me zyrtarin e lartë amerikan në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono, Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO “përveç se do ta fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale”.

Me zyrtarin e lartë amerikan, Bono, ajo diskutoi për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë dhe për “forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e administratës së presidentit Trump”.

Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe Osmani është udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të administratës Trump.

Pas takimit me Bonon, Osmani mori pjesë si e ftuar nderi në drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill dhe mbajti një fjalim në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë.

“Investimi dhe angazhimi amerikan në Kosovë, përveç se është në dobi të sigurisë dhe zhvillimit tonë, është po ashtu në përputhje me objektivat e administratës Trump. Kjo do të pengonte po ashtu përhapjen e luftës hibride ruse, ndikimin ideologjik të Iranit dhe presionin ekonomik të Kinës në rajon”, tha gjatë fjalimit Osmani.

Presidenca tha gjithashtu se Osmani do të zhvillojë takime me kongresistë amerikanë dhe zyrtarë të administratës së SHBA-së, “me fokus në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të vendit tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë