Nga Gazeta 'Si' - Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë vizitës së punës në Gjermani ka takuar ministren e Jashtme, Annalena Baerbock.
Siç njofton Zyra e Presidentes, në këtë takim Osmani tha se Gjermania është partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik, ndaj Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të saj.
Presidentja Osmani ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes gjermane edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Referuar njoftimit, situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë ishin gjithashtu tema të diskutimit të presidentes Osmani dhe ministres Baerbock.
Osmani ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, porse një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj. Në këtë kontekst, Osmani ka potencuar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për t'i adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal.
Ndër të tjera, në këtë takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.