Ka ndodhur

Organizoi transportimin e 7 emigrantëve që humbën jetën në aksident, arrestohet 24-vjeçari

Gazeta Si - Një 24-vjeçar me iniciale S.N., i shpallur në kërkim nga policia si i dyshuar në organizimin e transportimit të 7 emigrantëve nga Pakistani që humbën jetën së bashku me shoferin e mjetit në aksin Këlcyrë-Përmet, është arrestuar në Shkodër.

Për ngjarjen e rëndë të ndodhur në muajin prill është arrestuar 24-vjeçari Stivljano Ndou. I riu ka tentuar t’iu ikë efektivëve të Policisë së Shkodrës me motomjetin me të cilin lëvizte, por në fund operacioni u finalizua.

Për 24-vjeçarin, Prokuroria e Gjirokastrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ai kundrejt pagesës ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në aksident, dhe me shtetasit A. Gj. dhe R. D., të cilët u arrestuan më datë 03.04.2024), transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së.

Dy ditë pas aksidentit, policia arrestoi dy persona, A.Gj., 24 vjeç dhe R.D., 23 vjeç për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë