20 organizata mjedisore shqiptare nën drejtimin e EcoAlbania kanë paraqitur propozimin për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës te ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi.
Kauza e tyre mbështetet nga organizatat ndërkombëtare Riverwatch, EuroNatur, WWF Adria, Westland International Europe, International Rivers dhe The Nature Conservancy.
Grupi i organizatave thotë se ndihet i detyruar të ndërmarrë këtë hap pasi përfaqësuesit e qeverisë shqiptare kanë njoftuar se po punojnë për parkun kombëtar për muaj me radhë, por nuk kanë ndërmarrë asnjë hap drejt zbatimit të tij.
“Sipas informacionit tonë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk po planifikon të krijojë një park kombëtar, por një peizazh të mbrojtur (kategoria (V) dhe vetëm në rrjedhën e sipërme të Vjosës. Seksioni ekologjikisht më i vlefshëm i lumit - i cili është gjithashtu zona ku janë planifikuar hidrocentralet - do të mbetet plotësisht i pambrojtur. Prandaj, ne vendosëm të veprojmë dhe të paraqesim një propozim të plotë. Tani do të shohim se çfarë dëshiron me të vërtetë qeveria jonë: hidrocentrale apo një park kombëtar”, është shprehur Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania.
Sipas propozimit të organizatave, parku kombëtar duhet të përmbushë standardet e IUCN dhe të përfshijë të gjithë lumin Vjosa në Shqipëri si dhe degët e paprekura të Vjosës si Bënça dhe Shushica.
“Të gjithë do të përfitonin nga Parku Kombëtar i Vjosës: Vjosa vetë, kafshët dhe bimët e saj, si dhe njerëzit e rajonit. Një park kombëtar do t'u jepte atyre gjithashtu një perspektivë ekonomike që peizazhi i mbrojtur dhe as ndonjë kategori tjetër e mbrojtjes nuk mund të garantojë”, thotë Ulrich Eichelmann nga organizata për ruajtjen e natyrës Riverwatch.
Sipas një analize nga grupet mjedisore, do të duheshin dy vjet për të planifikuar parkun kombëtar. Gjatë kësaj kohe, popullata duhet të përfshihet në proces dhe detaje të tilla si zonimi i saktë duhet të sqarohen. Në vitin 2023, Parku Kombëtar i lumit të parë të egër të Evropës mund të hapet zyrtarisht.
“Ne mbështesim organizatat mjedisore shqiptare në kërkesën e tyre për një park kombëtar. Ky lum meriton kategorinë më të lartë të mbrojtjes dhe jo diga! Çdo gjë më pak se një park kombëtar do të ishte e papërshtatshme për Vjosën. Ky lum i fundit i madh i egër në Evropë ka një rëndësi ndërkombëtare. Tani është radha e ministrit të turizmit dhe mjedisit”, thotë Annette Spangenberg, shefe e projekteve në EuroNatur.
Grupi i organizatave thotë se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tani duhet të shqyrtojë propozimin tonë dhe më pas ajo mund të fillojë zyrtarisht procedurën e mbrojtjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.