Ngjarje

Orët me bomba molotov, gaz lotsjellës dhe ujë te Kryeministria, Parlamenti e Drejtoria e Policisë

Orë tensioni dhe dhunë në disa pika të Tiranës gjatë protestës së katërt të opozitës, bomba molotov ndaj institucioneve, gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj protestuesve, të lënduar dhe të arrestuar.

Rreth orës 18:30 me qindra mbështetës të opozitës janë mbledhur përballë Kryeministrisë. Banorët e Unazës së re, të cilët kanë mbërritur në këmbë, i janë bashkuar fillimisht kryedemokratit Basha në selinë e Partisë Demokratike, ku janë zhvendosur më pas në bulevard.

Protestuesit e opozitës në nisje të tubimit

Nga ana tjetër, edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dalë nga godina e partisë së drejtuar prej saj për t’u bashkuar në sheshin Dëshmorët e Kombit. Protestës i janë bashkuar edhe aktorët dhe shoqëria civile pjesë e “Aleancës për Teatrin”.

Efektivët e policisë tentojnë të shmangin zjarrin e provokuar nga manifestuesit

Situata para godinës së qeverisë është tensionuar menjëherë, teksa protestuesit janë përleshur me forcat e rendit.

Ata kanë arritur të çajnë kordonin policor, ndërkohë që ndaj godinës janë hedhur lëndë plasëse molotov, tymuese, flakadanë dhe objekte të tjera të forta.

Kreu i PD, Basha, duke mbajtur fjalimin para kryeministrisë

Menjëherë më pas ka marrë fjalën kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili i bëri thirrje protestuesve që të mos dhunojnë efektivët e policisë, duke i cilësuar ata edhe si vëllezër.

Pasi ka mbajtur një fjalim me tone të forta, Basha e ka ndërprerë atë, pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës ndaj manifestuesve, të cilët ishin bërë ta pëpërmbajtshëm.

Pjesa anësore e kryeministrisë goditet me bomba molotov

Policia i është drejtuar me thirrje të drejtpërdrejtë, Lulzim Bashës dhe sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi, të bëjnë hap pas nga dhuna.

Efektivët e policisë në rresht, ndërsa nisin incidentet e para

“Z.Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhit: Merrni masa të largoni nga protesta personat e dhunshëm që sulmojnë policinë me bomba molotov, kapsolla e sende të forta: Merrni masa të largoni nga protesta personat e maskuar”, bëri thirrje policia.

Protestuesit tentojnë të thyejnë kordonin policor te kryeministria

Turma është shpërndarë për t’u rikthyer sërish më pas, me Bashën që ka rifilluar fjalimin. Pikërisht në momentin më të tensionuar të protestës, kreu i PD foli para protestuesve, duke bërë thirrje që qëndresa të vazhdojë, sepse siç tha ai, qeveria do të dorëzohet. Basha, pasi përmbylli fjalimin e tij, i kërkoi protestuesve që të mos largohen.

Bomba molotov edhe kundë Kryesisë së Kuvendit

Protestuesit më pas janë zhvendosur në pjesën e pasme të kryeministrisë. Ka pasur hedhje gazi lotsjellës edhe në atë pjesë të kryeministrisë.

Pjesa qendrore e godines së kryeministrisë, e gjitha në flakë

Dy orë pas protestës, PD ndryshon strategjinë e saj, duke zgjedhur të flasë me gjuhën e imazheve, teksa në murin e godinës së Kryeministrisë me anë të një video-projektori janë pasqyruar sloganet “Rama ik” dhe “Qeveria e Krimit”. Reth orës 21:00, protestuesit kanë lënë kryeministrinë dhe kanë marshuar drejt Parlamentit.

Demonstrues të lënduar para kryeministrisë

E njëjta skenë është përsëritur edhe këtu, ky protestuesit kanë hedhur bomba molotov, tymyese, kapsolla e fishekzjarre drejt forcave të rendit, me këta të fundit që janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë.

Kreu demokrat Basha, nën efektin e gazit lotsjellës

Tensioni ka qenë i lartë dhe pas një situate kaotike, ku ishin të shumtë protestuesit e lënduar nga gazi, FNSH ka ndërhyrë me mjete ujëhedhëse, duke shpërndarë totalisht turmën që ndodhej para Kuvendit.

Pamje me dron nga lart e protestës
FNSH merr nën kontroll territorin para Kuvendit

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë dalë deri në pedonale, duke larguar me forcë protestuesit. Policia ka marrë nën kontroll të gjithë segmentin e rrugës “Xhorxh Bush” përpara Parlamentit.

FNSH shpërndan turmën para Kuvendit

Pas shpërndarjes, Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Sait Dollapi ka shkuar të kërkojë llogari te FNSH për gazin lotsjellës dhe për të shmangur një ndalim nga policia ka vrapuar të largohet, por është arritur dhe dhunuar nga forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë përpara ndërtesës së Parlamentit.

Sahit Dollapi, në momentin e ndalimin nga FNSH

Kamerat kanë kapur momentin kur Dollapi rrëzohet në tokë ndërsa goditet me shkopinj gome nga forcat e policisë, të cilët e kanë shoqëruar më pas drejt makinës.

Më pas, protestuesit, të udhëhequr nga kreu i PD Basha, janë nisur drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e Dollapit.

Por ashtu si te Parlamenti, edhe para drejtorisë së policisë, janë përdorur botet me ujë për të shpërndarë protestuesit e opozitës.

Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe kapsolle në drejtim të forcave të rendit, ndërkohë që efektivët u janë përgjigjur me gaz lotsjellës. Pas disa minutave, konfrontimi mes palëve ka përfunduar me qetësimin e situatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë