Media Galeri

Ora e Hitlerit shitet për 1.1 milion dollarë mes shumë polemikave

Një orë që thuhet se i përkiste liderit nazist Adolf Hitler është shitur për 1.1 milion dollarë në një ankand në SHBA.

Ora Huber, e cila i është shitur një blerësi anonim, ka inicialet AH të gdhendura në të.

Shtëpia e ankandeve e cila ka shitur relike naziste në të kaluarën u tha mediave gjermane se qëllimi i saj ishte ruajtja e historisë.

Adolf Hitleri udhëhoqi Gjermaninë naziste midis 1933 dhe 1945, duke organizuar vrasjen sistematike të rreth 11 milionë njerëzve, gjashtë milionë prej të cilëve u vranë sepse ishin hebrenj.

Një vlerësim nga shtëpia e ankandeve thotë se ora u mor si një suvenir kur rreth 30 ushtarë francezë sulmuan Berghof, vendstrehimi malor i Hitlerit në maj 1945.

Më pas mendohet se ora është rishitur dhe ka kaluar nëpër disa breza deri më tani.

Artikuj të tjerë në ankand përfshinin një fustan që i përkiste gruas së Hitlerit, Eva Braun, foto me autograf të zyrtarëve nazistë dhe një pëlhurë e verdhë.

Një letër e hapur e nënshkruar nga 34 liderë hebrenj e përshkroi shitjen si “të neveritshme” dhe bënte thirrje që sendet naziste të tërhiqeshin nga ankandi.

Rabini Menachem Margolin, kryetar i Shoqatës Europiane të Hebrenjve tha se transaksioni u dha “ndihmë atyre që idealizojnë atë që përfaqësonte partia naziste”.

Duke folur për shtypin gjerman përpara shitjes, Alexander Historical Auctions tha se qëllimi ishte ruajtja e historisë dhe se shumica e artikujve të shitur mbahen në koleksione private ose dhurohen muzeumeve të Holokaustit.

“Qoftë histori e mirë apo e keqe, ajo duhet të ruhet”, tha për Deutsche Welle nënpresidentja e shtëpisë së ankandit Mindy Greenstein. “Nëse e shkatërron historinë, nuk ka asnjë provë që ka ndodhur”.

Pavarësisht se ora ka arritur të shitet mbi 1 milion dollarë, ajo nuk ka arritur në vlerësimin e shtëpisë së ankandit prej 2 deri në 4 milion dollarë, raportoi Deutsche Welle.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë