Irena Beqiraj

Opozita, pozita dhe pleqtë e Shkodrës!


Një politikë publike e suksesshme tenton gjithmonë të maksimizojë përfitimet për publikun duke optimizuar përdorimin e burimeve të kufizuara, siç është numri i vaksinave.
Nuk jam dakord me disa opinionistë, të cilët thonë që qeveria me anë të vaksiminit të personaliteteve shkeli Kushtetutën. Sepse sipas saj jemi të gjithë të barabartë përpara të drejtës për të marrë trajtim mjekësor.

Nëse pyesni një ekonomist a e shkelim Kushtetutën kur në kushtet e burimeve të kufizuara, shtretër, aparate ventilimi, të parit i shërbehet të riut të sëmurë dhe jo të vjetërit të sëmurë? Ekonomistët thonë jo. Besoj edhe një jurist që njeh mirë parimet e politikave publike. Thonë jo, sepse parimi bazë në ushtrimin e shërbimit publik është maksimizimi i përfitimit publik. Thënë këtë, mundësia që i riu të shpëtojë, me përdorimin e të njëjtave burime, është më e madhe. E dyta, një i ri ka akoma mundësi të kontribuojë në afat më të gjatë në shoqëri. Në këto kushte, vendimmarrja për t’i shërbyer të riut, është përdorim i burimeve në mënyrë optimale për të maksimizuar përfitimet afatgjata të publikut.

Në bazë të këtij parimi të politikës publike, mjekët, infermierët, që punojnë në spitale shtetëore dhe private, mësuesit edhe profesorët e shkollave private e shtetërore, duhet të ishin vaksinuar të parët. Çdo vaksinë e bërë kujtdo tjetër, qofshin edhe personalitete, pa përfunduar vaksinimi i këtyre grupeve të cilët ulin risqet e dëmeve afatgjata të pandemisë në shoqëri, duke rritur përfitimet e kësaj të fundit, ka shkelur parimin e optimizimit të burimeve edhe maksimizimit të përfitimeve që vaksinat i sjellin publikut.

Të dytët në radhe vijne tyë moshuarit pikërisht për të njëjtat qëllime racionale. Në rast infektimi, mundësia që të kërkojnë shërbim mjekësor të specializuar dhe të kushtueshëm është më e lartë, sikurse edhe mundësia për të humbur jetën. E pra, drejtësi nuk do të thotë barazi.

Por politikanët tanë vetëm të paditur nuk janë. Në vend të maksimizimit të përfitimeve të publikut, kanë vendosur objektiv tjetër. Pozita me shpërndarjen e vaksinës dhe opozita me zhurmë vetëm për çështje që nuk krijojnë dëme elektorale, kanë vendosur të maksimizojnë votat.

Maksimizimi i votave shpjegon faktin përse pa përfunduar vaksinimi i mjekëve në gjithë Shqipërinë, (se për mësuesit nuk po flitet), kanë filluar të vaksinohen përshembull pleqtë e Shkodrës.

Maksimizimi i votave shpjegon faktin përse ndjeshmërinë e lartë të opozitës për 20 personalitetet (të vaksinuar pa të drejtë para mjekëve), por asnjë fjalë për vaksinimin e pleqve të Shkodrës.

Tani, më thoni, ku do të vendosim të hamë çorbë të prishur më 25 prill, në restorantin e opozitës apo pozitës?


Copyright © Gazeta “Si”