Politike

Operacioni i aktorit Fuga në privat, Erion Braçe, qeverisë: Keni para për ‘monopolin’, por jo për spitalin publik

Kërkesa publike për ndihmë e aktores Eni Jani  për të përballuar financiarisht operacionin e bashkëshortit të saj, aktorit Genci Fuga, në një spital privat solli debate të mëdha në media por edhe rrjetet sociale se pse operacione të tilla delikate (goditjet në tru) nuk i merr përsipër shteti por vetëm privati.

Dy ditë pas debatit dhe kur shuma e kërkuar nga aktorja Eni Jani u plotësua, qeveria mori vendim për t’i akorduar aktorit ende në spital 2 mln lekë në formë mbulimi të shpenzimeve të operacionit.

Ndërkohë deputeti i PS-së, Erion Braçe, është i vetmi nga mazhoranca që ka reaguar për fenomenin më shumë sesa për rastin në fjalë.

Braçe kritikon qeverinë që e ka kthyer në monopol shërbimin spitalor duke i dhënë privatit miliona euro në vend që t’i investojë në modernizimin e sektorit publik. 

“Nuk është as gabim, as krim që shërbime shëndetësore t’i ofrojë privati. Keq është kur kjo mundësi kthehet në monopol.

Shkelje ligji është abuzimi nga kjo pozitë monopoli, me çmimet e këtyre shërbimeve.

Krim kthehet kur abuzimi sjellë një çmim krejt të pajustifikuar por mundësuar nga monopoli, kushtëzuar më parapagim të shërbimit kur e para është jeta dhe jo paraja.

E gjitha kjo në një treg që sipas ‘deklarimeve të veta’-imagjinoni ato reale, po i kalon 300 mln euro në vit, është shumë, po shumë fare!

Ndërkohë, dje dëgjova se Qeveria vendosi të paguaj faturën e monopolit për Genc Fugën; që mbulon shpenzimet e një njeriu në urgjencë mjekësore për jetën, është detyre e saj; por a mjafton?

Unë them jo;

E para, duhet modernizuar shumë më shpejt sektori publik; mirëfinancuar me para që gjithnjë mungojnë-por jo për të paguar Monopolin;

E dyta, duhet luftuar Monopoli dhe abuzimi me këtë pozite në një sektor jetik; paguaj ose vdis është ‘far west’, jo spital qoftë edhe privat!”, shkruan Braçe


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë