Bota

Operacionet e kërkimit, në rrezik nga përmbytje të reja mes Nepalit e Tibetit

Gazeta Si – Autoritetet tibetane dhe ato nepaleze kanë paralajmëruar banorët në zonën kufitare të Himalajeve, midis Nepalit dhe rajonit kinez të Tibetit, për mundësinë e një përmbytjeje të dytë.

Të mërkurën, zona u godit fuqishëm nga një masë gjigante uji, akulli, balte dhe shkëmbinjsh, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 475 personave – një shifër që vazhdon të rritet ndërsa ekipet e shpëtimit kërkojnë për më shumë se 1.300 persona të zhdukur.

E gjithë zona mbetet pa energji elektrike; pas reshjeve të dendura në Tibet, një liqen barrierë u formua përgjatë rrjedhës së dy degëve që ushqejnë lumin Bhote Koshi.

Autoritetet kineze dhe tibetane raportuan rrezikun që liqeni të çante brigjet e tij, gjë që mund të shkaktonte dëme të tjera të rënda.

Zyrtarët kinezë deklaruan se, ndonëse uji fillimisht theu njërën anë të barrierës, rrjedha më pas ndaloi dhe alarmi u hoq. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit i kanë drejtuar banorët drejt zonave më të larta në luginë.

Autoritetet kineze dhe ato të Nepalit i kishin pezulluar operacionet e shpëtimit për shkak të rrezikut të përmbytjeve të mëtejshme, por tashmë ato kanë rifilluar.

Përpjekjet e shpëtimit po pengohen rëndë nga shkatërrimi i rrugëve e urave dhe mungesa e energjisë elektrike.

Duke pasur parasysh vështirësitë e lëvizjes përmes rrugëve tokësore, ushtria e Nepalit ka mobilizuar 12 helikopterë dhe ka ngritur një spital fushor pranë zonave më të goditura.

Shumë nga personat e zhdukur janë turistë, alpinistë dhe pelegrinë. Përmbytja ndodhi në një zonë të njohur për ecje në natyrë dhe alpinizëm në Himalaje, në drejtim të malit Kailash – një majë tibetiane që shërben si destinacion pelegrinazhi për fe të ndryshme, përfshirë hinduizmin, budizmin, xhainizmin dhe Bön-in (një fe e lashtë tibetiane).

Përmbytja e së mërkurës me gjasë u shkaktua nga shkëputja e një mase të madhe akulli prej një akullnaje. Ajo ishte e papritur dhe e fuqishme, duke marrë me vete njerëz, ndërtesa dhe rrugë. Videot nga zonat e prekura tregojnë ura të shkulura dhe ndërtesa shumëkatëshe të shkatërruara.

Qeveria e Nepalit ka refuzuar ofertat e vendeve të tjera për të dërguar ekipe kërkim-shpëtimi, duke deklaruar se ekipet e saj janë të mjaftueshme.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme tha se vendimi bazohej gjithashtu në përvojën e tërmetit të fuqishëm të vitit 2015, kur prania e ekipeve të shumta nga vende të ndryshme shkaktoi probleme të konsiderueshme koordinimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë