Rend dhe Ligj

RENEA arreston të shumëkërkuarin Xhevdet Plaku dhe 6 kriminelë të tjerë (pamjet e operacionit)

Gazeta Si – Në një operacion në Durrës nga forcat “RENEA”, janë arrestuar këtë të premte 7 persona të rrezikshëm, mes tyre dhe Xhevdet Plaku, i njohur ndryshe me nofkën “Akili”, i akuzuar për dy vrasje, një herë për trafik droge, si dhe u ka shpëtuar të paktën 5 atentateve të dokumentuara.

Plaku, më 23 janar të këtij viti ishte arratisur nga burgu i Ankonës në Itali. Ai dyshohet të jetë kreu i një grupi të trafikut të drogës në Holandë, po vuante dënimin për trafik droge.

Sipas policisë, në operacion janë arrestuar në total 7 persona, 3 prej tyre me rrezikshmëri të lartë, shumica të armatosur. Një pjesë janë kapur në ambientet e një restoranti në Gjirin e Lalzit.

Këto janë pamjet e arrestimit të Xhevdet Plakut dhe gjashtë personave të tjerë, gjatë operacionit të koduar “Enigma”. Siç duket, efektivët kanë ndërhyrë teksa grupi po darkonte në një restorant në Gjirin e Lalzit.

“Policia barkas, barkas të gjithë. Asnjë lëvizje”, thërrasin agjentët e policisë të armatosur që kanë kryer arrestimet.

Drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, në një konferencë për shtyp bëri me dije se “Akili” ishte në një restorant në Gjirin e Lalzit së bashku me gjashtë persona të tjera.

Mes të arrestuarve të tjerë janë edhe Flobens Meçia, 43 vjeç, Voltan Xhani, 39 vjeç, Jurgen Xhani, 35 vjeç, O.H., 38 vjeç, F.Q., 36 vjeç dhe A.H., 45 vjeç.

Policia tha se në momentin e arrestimit ka gjetur katër pistoleta, me fishekë në fole gati për qitje. Nga të arrestuarit, edhe 43-vjeçari Meçia dhe 39-vjeçari Xhani, paraqiten me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Sipas autoriteteve, Flobens Meçia alias Gega, alias Drini, është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për sigurim kushtesh për vrasje. Në momentin e arrestimit ai kishte edhe dy dokumente të tjera të falsifikuara.

39-vjeçari Voltan Xhani, ishte në kërkim Gjykata e Shkodrës për sigurimin e kushteve për vrasjen e Elis Rroshkodoli në Shkodër.

Pjesa tjetër e të arrestuarve u kapën për veprat penale moskallëzim krimi dhe përkrahje e autorit të krimit. Gjatë aksionit, efektivët sekuestruan shuma të mëdha parash, Euro dhe sende të tjera.

“Theksojmë faktin se ky operacion është organizuar dhe zhvilluar në një kohë rekord, me profesionalizëm, duke u finalizuar me sukses pavarësisht shkallës së lartë të rrezikshmërisë siç e citova dhe më lart, pasi 3 prej tyre i kishin armët e zjarrit me fishekë në fole gati për qitje”, dha drejtori Bala.

Ndërkohë, emri i Xhevdet Plakut doli dhe në dosjen e SPAK për grupin e trafikut të drogës, pjesë e së cilës ishte dhe ish-shef i krimeve të Komisariatit nr. 6 Dedan Gjoni dhe Erzen Breçani.

Zbardhja e përgjimeve të “Sky ECC” zbuluan se Akili, që përdorte 25 identitete, i akuzuar si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam u tentua të vritej nga i forti i Shijakut Rexhep Rapi më 17 shtator 2019.

Përgjimet zbardhën bashkëpunimin e Rapit me Gjonin për të kryer vrasjen para komisariatit të Durrësit, si hakmarrje pasi e akuzonte për vrasjen e vëllat të tij Sali Rapi të ndodhur në 2014-ën në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë