Gazeta Si –Një hetim 5-vjeçar, i kryer nga një ekip i përbashkët mes SPAK, autoriteteve italiane në Breshia, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, çoi në goditjen e një grupi kriminal shqiptar që trafikonte lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt BE.
Gjykata e Breishas ka lëshuar në total 24 masa sigurie, 10 prej të cilave janë ekzekutuar.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, të llojit kokainë, në një vlerë mbi 1.300 kg. SPAK njofton se kjo sasi pasi ka hyrë në territorin italian, dyshohet se është ruajtur dhe magazinuar, për t’u shpërndarë në 6 baza logjistike operative, të krijuara nga grupi kriminal, në të gjithë territorin italian.
Sipas njoftimit zyrtar nga SPAK, gjatë veprimtarisë hetimore të kryer nga autoritetet italiane janë sekuestruar mbi 550.000 euro ‘cash’, 10 autovetura, 1 pistoletë gjysmëautomatike dhe 130 kg lëndë narkotike (kokainë dhe heroinë) e cila, në rast se do të hidhej në treg mund të arrinte vlerën e rreth 12 milionë eurove.
SPAK njofton se nga 24 persona është verifikuar se 6 (gjashtë) prej tyre ndodhen në Shqipëri, 3 prej të cilëve janë arrestuar.
Ndërkohë, me urdhër të SPAK në Tiranë, është arrestuar oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili dyshohet se kishte lidhje me klanet shqiptare të trafikut të drogës. Sipas SPAK ai ka kërkuar përfitime të parregullta monetare në këmbim të zbulimit të të dhënave sekrete, si dhe ka kryer veprime dhe mosveprime të mëtejshme në kundërshtim me ligjin.
Kanë qenë bisedat mes anëtarëve të grupit që kanë zbardhur aktivitetin e tyre kriminal, por edhe përgjime telefonike.
Në brendësi të këtyre bazave që përdoreshin për ruajtjen dhe magazinimin e lëndëve narkotike, personat përgjegjës, dyshohet se kanë vijuar me shpërndarjen e sasive të lëndëve narkotike dhe me mbledhjen e parave ‘cash’, të përfituar nga shitja.
Shuma e konsiderueshme e parave të ardhura nga trafikimi i lëndëve narkotike dyshohet se është transferuar tek drejtuesit e grupit kriminal përmes të ashtuquajturve ‘money mules’ (korrierë /transportues financiarë), të cilët bëjnë pjesë në grupin kriminal, ku bënin pjesë edhe disa shoferëve të autobuzëve, që vepronin në linjën Itali- Shqipëri.
Sipas hetuesve, grupi me bazë operative në Shqipëri dhe me degëzime në Itali, dyshohet se ka trafikuar drogë nga Amerika e Jugut duke shfrytëzuar rrugë tregtare që kishin si destinacion portet e mëdha të Europës Veriore.
Droga më pas transportohej drejt Italisë me kamionë, e fshehur brenda mjeteve të rënda. Ndërkohë, heroina transportohej nga Shqipëria në drejtim të Italisë, përmes autobusëve.
Shoferët e autobusëve shpesh nuk ishin në dijeni, ndërsa shoferët e kamionëve ishin bashkëpunëtorë të klaneve.
Kryesisht grupi shqiptar i kishte bazat në dy provinca në Breshia, Rovato dhe Palazzolo.
Të gjithë emrat e masave “arrest me burg”
– Vincenzo Bruno
– Arlin Buzali
– Donald Cala
– Erion Kapidani
– Elton Gjegja
– Adriatik Hasa
– Erion Kapidani
– Oltion Lala
– Asti Llupi
– Denis Myftiu
– Altin Shehaj
– Gazmend Shehu
– Bledin Doçi
– Elvis Doçi
– Juljan Hyka
– Eduart Leba
– Gentian Deshijeqi
– Klodian Vata
Nën arrest shtëpiak:
– Giuseppe Iorio
– Erald Salla
– Enkeleid Tirjaku
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



