Gazeta Si – Një grup kriminal prej 27 personash, janë arrestuar në një operacion të përbashkët mes Italisë, Shqipërisë dhe Spanjës, 3 prej të cilëve janë prangosur në Vlorë. Në një njoftim për mediat nga Policia e Shtetit, thuhet e 20 prej tyre janë me masë “arrest në burg”, ndërsa 7 janë në “arrest shtëpie”.
Përveç Anxhelo Ajazaj, Klarens Dalipaj dhe Xhino Hamitaj të kapur në Vlorë, gjithashtu akuzohet dhe një shtetas tjetër, Eurel Liçaj i cili aktualisht po vuan dënimin në burgun e Rrogozhinës. Liçaj u kap në Vlorë në vitin 2023.
“Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Alba Tibus.Al”, u vunë në pranga shtetasit Anxhelo Ajazaj, 27 vjeç, Klarens Dalipaj alias Klarens Dhrami, 30 vjeç dhe Xhino Hamitaj, 30 vjeç. Ata dhe shtetasi Eurel Liçaj që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike Cannabis Sativa”, – njofton Policia e Shtetit.
Të tre personat e arrestuar në Vlorë u ndaluan mbrëmjen e djeshme, ndërsa burime nga policia konfirmojnë se, pas urdhrit të ardhur nga policia italiane, ata kishin qenë nën vëzhgim për tre ditë.
Ndalimi i Anxhelo Ajazaj, Klarens Dalipaj dhe Xhino Hamitaj, u krye mbrëmjen e djeshme nga forcat operacionale, në pika të ndryshme të qytetit të Vlorës.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, ndërsa informacioni mbi të ka qenë tepër i rezervuar.
Sipas burimeve, të tre personat e ndaluar kishin rolin e shpërndarjes së drogave të ndryshme në Itali, kryesisht në zonën e Romës.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, droga ruhej në një qendër të pritjes së emigrantëve në periferi të Romës.
Hetimi zbuloi se objekti ishte gjithashtu një vend rekrutimi për migrantët nigerianë, mbajtës të lejeve të qëndrimit të përkohshëm, të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Sasitë e mëdha të marijuanës importoheshin nga Vlora dhe shpërndaheshin në të gjithë Europën falë një aleance mes grupeve kriminale shqiptare dhe nigeriane. Organizata transportonte drogën duke përdorur transportin publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.