Ka ndodhur

Omicron mbledh urgjentisht OKB në Gjenevë, e pranishme edhe ministrja Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu është takuar në Gjenevë me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom.

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e ministrisë thuhet se takimi ka pasur si temë forcimin e bashkëpunimit në kushtet e pandemisë dhe për përgjigjen e koordinuar ndaj emergjencave shëndetësore.

Në Gjenevë po mbahet Sesioni i Dytë Special i Asamblesë së OBSH-së për pandeminë. Në takim me Manastirliun është diskutuar për situatën e pandemisë, shqetësimet rreth variantit të ri të Covid-19 dhe rëndësinë e shpejtimit të procesit të vaksinimit.

“Nisur dhe nga shqetësimi i ngritur për variantin e ri të Covid-19, ne po intensifikojmë përpjekjet për vaksinimin, edhe derë më derë, në çdo komunitet. Besojmë se ka nevojë për një përgjigje të koordinuar në nivel global për pandeminë. Shqipëria është plotësisht e angazhuar për t’iu bashkuar iniciativës për të koordinuar veprimet ndërmjet shteteve, për të punuar së bashku drejt një Traktati Ndërkombëtar për përgatitjen dhe përgjigjen ndaj pandemisë dhe emergjencave shëndetësore”, tha Manastirliu.

“Jam i lumtur që Shqipëria po bën progres sa i takon forcimit të kujdesit parësor, si një shtyllë shumë e rëndësishme e sistemit shëndetësor. Kujdesi shëndetësor parësor do të jetë në fokus të Samitit të ardhshëm të OBSH-së dhe Shqipëria mund të jetë një shembull pozitiv në këtë drejtim. Vlerësoj edhe angazhimin e Shqipërisë për Traktatin e Pandemisë, për të cilin po bëjmë progres”, citohet nga zyra e shtypit e ministrisë kreu i OBSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë