Sport

Olimpiada e Parisit, Shqipëria me vetëm dy sportistë të kualifikuar me normë deri tani

Gazeta Si – Pas Europianit të Gjermanisë në futboll, ku Shqipëria merr pjesë për herë të dytë në historinë e saj, një event tjetër madhor i verës janë Lojërat Olmipike të Parisit. Këtu entuziazmi kuqezi nuk është aq i madh, sepse situata është ndryshe.

Shqipëria, deri në këtë moment ka vetëm dy sportistë të kualifikuar me normë. E përhershmja Luiza Gega, atletja më e mirë që kemi aktualisht, nuk mund të mungonte kurrsesi në Olimpiadë. Ajo e ka siguruar me kohë pjesëmarrjen. Sportisti i dytë i kalifikuar është mundësi çeçen i natyralizuar si shqiptar, Zelimkhan Abakarov.

Luiza Gega, atletja e njohur shqiptare

Shumë pak, aq më tepër po të kemi parasysh pompozitetin që i është bërë sportit nga qeveria dhe KOKSH-i kohët e fundit, pas disa medaljeve të fituara.

Shtanga kuqezi nuk ka ende një sportist që do ta përfaqësonte në Paris 2024. Në eventin e fundit ndërkombëtar, peshëngritësit tanë zgjodhën rrugën e medaljeve (dhe të lekëve), duke mos garuar në kategori kualifikuese për Olimpiadën.

Vetëm Briken Calja vendosi të kapte normën dhe garoi në kategori kualifikuese, por nuk ia doli. Gjithsesi, duhet vlerësuar për faktin që vendosi të parin kriterin sportiv. Dhe ka ende një mundësi, ai dhe të tjerët, për të shkuar në Olimpiadë, nëse e kapin normën në Botërorin e muajve të ardhshëm.

Peshengritesi Briken Calja

Mundësi kualifikimi për në Lojërat Olimpike kanë edhe gjimnasti Matvei Petrov, si dhe mundësi tjetër Islam Dudaev, pasi para verës do të kenë aktivitete të tjera ndërkombëtare.

Në rastin më të mirë, Shqipëria do të përfaqësohej në Olimpiadë me 5 sportistë të kualifikuar me normë, por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Shpresat janë që në Paris të shkohet me 3 ose 4 sportistë me normë.

Pastaj janë edhe ftesat, që vijnë nga drejtuesit e Olimpiadës për evente të tilla. Shqipëria mund të ketë ndonjë ftesë, siç ka ndodhur zakonisht, por fakt është që sporti shqiptar nuk është në ditët e tij më të mira. Sa për shpresat për medaljen e parë olimpike, shanset më të mëdha janë që ajo të vijë nga mundja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë