Futboll

Oksidi i azotit bëhet çështje në Angli, një lojtar i Premier Ligës nis rehabilitimin në klinikë

Gazeta Si – Edhe në të kaluarën është shfaqur ky problem për shkak të përdorimit të oksidit të azotit nga disa yje të kampionatit anglez, mes tyre edhe Grilish, Uollker dhe Dele Ali.

Një histori e pazakontë vjen nga Anglia dhe ka të bëjë me futbollistët e Premier Ligës. Sipas ‘The Sun’, një futbollist ka përfunduar në qendrën e rehabilitimit të një klinike për t’u kuruar nga varësia prej oksidit të azotit, apo siç njihet ndryshe, ‘gazi për të qeshur’.

Tabloidi britanik bën me dije se lojtari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është ndaluar nga policia, sepse kishte mbushur makinën me përbërës të këtij gazi dhe, që edhe pse nuk është ilegal, mund të krijojë lehtë varësi. Agjentët e policisë vendosën të njoftonin familjen e futbollistit, që më pas ndoqi rrugën e kurimit në një klinikë të specializuar.

Mediat britanike theksojnë se përdorimi i ‘gazit për të qeshur’, që merret nëpërmjet tullumbaceve, është një praktikë shumë e përhapur mes sportistëve dhe veçanërisht lojtarëve të Premier Ligës.

Gjithmonë sipas ‘The Sun’, në të kaluarën janë organizuar festa, ku janë shpenzuar deri në 10 mijë stërlina gaz. Dele Ali është fotografuar më pak se një vit më parë duke praktikuar këtë gjë gjatë fazës së rehabilitimit nga një dëmtim. Rastet e ngjashme janë të shumta gjatë viteve. Nga të parët që u përfol për këtë arsye ishte Kajli Uollkër, rreth 10 vjet më parë, pastaj ishte radha e Xhek Grilish në kohën e Aston Vilës. Në 2018-ën u konsideruan skandaloze imazhet e një feste të këtij lloji, ku merrnin pjesë disa lojtarë të Arsenalit, mes tyre Lakazet dhe Guendouzi.

Çfarë është ‘gazi për të qeshur’
Oksidi i azotit, në kushte standarde, është një gaz pa ngjyrë, që nuk ndizet dhe pak i ëmbël. Në fushën e mjekësisë përdoret si analgjezik dhe anestetik, por njihet edhe për efektet euforike, që e bëjnë ‘të lakmuar’ në festat e britanikëve. Ata që abuzojnë mund të kalojnë në amnezi, gjendje të fikti, sulme në zemër dhe në ndonjë rast dhe deri në vdekje nga asfiksia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë