Në dytën e dytë të zbritjes në terren, njësia speciale “Operacioni Forca e Ligjit” njoftoi se ka dorëzuar kërkesat për të provuar burimin e ligjshëm të pasurive tek Lulzim Berisha në Durrës dhe tek Ardian Çapja në Elbasan.
I pari u dënua në 2012 me burgim të përjetshëm për një sërë akuzash të rënda, por u lirua me kusht në 2016 pas një vendimi të kundërshtuar të Gjykatës së Apelit të Durrësit.
Ndërkohë, për Ardian Çapjan ka dyshime se është i përfshirë në aktivitetin e vrasjeve me pagesë përgjatë periudhës 2009-2016 dhe akuzohet gjithashtu edhe për “vrasje të efektivit të policisë, mbetur në tentativë”, në një ngjarje të ndodhur pak vite më parë në qytetin e Elbasanit, ku dyshohet se Ardian Çapja ka qëlluar ndaj një patrulle policore.
OFL tha se do të informojë publikun vijimësisht, për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë. "Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët", tha zëdhënësja.
Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.