Ana e errët

OFL te dera! Pronat dhe bëmat e Dervishajt e Çelës në Durrës e Elbasan

OFL njoftoi këtë të enjte se kishte dorëzuar kërkesën për plotësimin e dosjes së pasurive dhe të të ardhurave tek Plaurent Dervishaj në Durrës dhe Suel Çela në Elbasan, dy emra që vetëm pak kohë më parë kanë qenë në qendër të vëmendjes për ngjarje të bujshme të ndodhura në dy qytetet ku banojnë.

Plaurent Dervishaj ishte shënjestër e një atentati të ndodhur në Shkozet të Durrësit më 20 qershor të vitit të kaluar. Ndaj makinës së tij, tip “Range Rover” u derdh një breshëri automatike, duke e lënë atë të plagosur lehtë në këmbë dhe Julian Meçajn që ndodhej në të njëjtën makinë të mbeti i plagosur më rëndë.

Lidhja mes Plaurent Dervishajt, që është edhe kunati i Lulzim Berishës me Julian Meçajn nuk është vetëm fakti që janë viktima të këtij atentati. Të dy ata rezultojnë bashkëpronarë të një biznesi me vendndodhje në bulevardin kryesor të qytetit të Durrësit.

Bëhet fjalë për një bar-kafe dhe lokal nate me emrin “New Zodiac”, i famshëm në qytetin e Durrësit. Nga një vështrim në rrjetet sociale, në lokalin në fjalë kanë kënduar dhe qenë të pranishëm herë pas herë emra të njohur në fushën e muzikës dhe artit.

Tashmë, me dorëzimin e kërkesës nga “OFL”, Dervishaj duhet të justifikojë burimin e të ardhurave që ka investuar në ngritjen e gjysmës së këtij biznesi, nëse burojnë nga puna e ndershme, apo nga aktiviteti i dyshimtë, nisur nga fakti që ky person rezulton nën hetim nga drejtësia gjermane për “trafik qëniesh njerëzore”.

Por, veç këtij biznesi, Dervishaj do të duhet të përgjigjet edhe për automjetet, pronat, e deri tek banesa që mund të ketë në emër të vet, apo të familjarëve të tij, për të cilat “Operacioni Forca e Ligjit” mund të ketë dyshime se janë vendosur me para të pista.

Nga ana tjetër, Plaurent Dervishaj ka qenë njëri prej personave të parë të shoqëruar nga Policia e Shtetit pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku humbi jetën Landi Muharremi, person me precedentë penalë. Megjithatë, për ngjarjen në fjalë u mor i pandehur Redjan Rraja, ndërsa për Dervishajn nuk kishte prova që të ishte i përfshirë në të.

Emri tjetër të cilit “OFL” i ka kërkuar llogari është ai i Suel Çelës, edhe ky një emër i lakuar fort publikisht, përfshirë këtu edhe nga opozita që e akuzon si kreun e një grupi kriminal në qytetin e Elbasanit të lidhur me ish-kryebashkiakun e këtij qyteti, Qazim Sejdini.

Me emrin Suel Çela nuk është regjistruar asnjë biznes në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit. Ai është djali i Petrit Çelës, biznesmeni që zotëron tregun agro-ushqimor në qytetin e Elbasanit. Pikërisht në hyrje të këtij tregu agro-ushqimor ndodhi një përplasje e disa personave me policinë në vitin 2017.

Në shtator të 2017 mediat shpërndanë pamjet kur një automjet tip “Audi”, që më vonë u tha se ishte makinë e blinduar, përplas një makinë të Policisë së Shtetit në të cilën ndodhet zv.drejtori i Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi. Pas përplasjes, automjeti “Audi” hyn me shpejtësi në mjediset e tregut agroushqimor të Elbasanit, ndërsa policia nuk vepron.

Sulmi ndaj uniformave blu ka ndodhur gjatë një operacioni të ndërmarrë prej tyre për sekuestrimin e automjeteve të blinduara në qarkullim, ndërsa u tha në atë kohë jozyrtarisht se veç kësaj, Policia e Elbasanit kishte informacione për një grup që po përgatitej të trafikonte një sasi të konsiderueshme droge.

Kjo e dita nuk u qartësua asnjëherë, ndërsa për sulmin ndaj policisë u mor si i dyshuar Suel Çela. Çela u akuzua në procesin gjyqësor që nisi për rastin në fjalë. Por, çuditërisht të marrë si dëshmitarë në këtë proces, të gjithë oficerët e policisë që ishin të pranishëm në momentin që “Audi” përplas makinën e zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit nuk identifikuan Suel Çelën si autor.

“E njoh Suelin dhe vëllain e tij. Po të ishin ata në makinë, do t’i kisha njohur”, dëshmoi në procesin gjyqësor shefi i sektorit të narkotikëve në Policinë e Elbasanit, Ylli Bici, i cili tha se policia nuk arriti që të futej në tregun agroushqimor pasi dera u mbyll shpejt.

Me dëshminë e oficerëve të policisë që nuk pohuan për asnjë moment se personi që drejtonte “Audin” e blinduar që goditi makinën e policisë ishte Suel Çela, gjykata e la të lirë duke e shpallur të pafajshëm atë. Megjithatë, pafajësia e gjykatës nuk i dha pafajësinë për opozitën. Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar disa herë Suel Çelën si kapo i bandës të lidhur me ish-kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë