Ndonëse vendi ndodhet në një situatë të pazakontë, për shkak të përhapjes së koronavirusit, Operacioni Forca e Ligjit i është rikthyer aktivitetit të goditjes së pasurive kriminale në terren.
Në një deklaratë për media, OFL njofton se ka sekuestruar 1.2 milionë litra naftë dhe një magazinë doganore në Durrës, në pronësi të Lulëzim Berishës dhe E. SH.
Sipas OFL-së, ky subjekt, pavarësisht revokimit të licencës, subjekti ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.
OFL-ja thekson se pasi e ka ndjekur fillin e këtij organizimi kriminal, ka kryer mbrëmë operacionin e sekuestros dhe po vijon, në bashkëpunim me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar, hetimin intensiv për zbulimin dhe dokumentimin e gjithë veprimtarisë kriminale në këtë fushë dhe lidhjen me persona të tjerë publikë e privatë.
“OFL do informojë publikun në vijimësi për ecurinë e këtij operacioni të rëndësishëm, i cili tregon edhe njëherë se pasuritë kriminale nuk do të mbijetojnë në duart e subjekteve të Ligjit Special apo familjarëve e rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




