Drejtësia

OFL dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga një i dënuar për drogë

Gazeta Si – Një nga qindra subjektet që kanë deklaruar pasurinë e tyre në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, ka dërguar çështjen ndaj tij në Gjykatën Kushtetuese.

Edlir Hysenaj, të cilit iu dërgua formulari i OFL-së në datë 5 shkurt 2020, kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të dhënë ndaj tij, si subjekt i deklarimit të pasurisë.

Hysenaj rezulton i dënuar për drogë dhe sipas policisë dyshohet se ka pastruar paratë e kushëririt të tij, Emiljano Hysenaj, i cili në Gjermani është arrestuar për pjesëmarrje në një grup kriminal që merrej me trafikun e kokainës. Ata u kapën me 1.8 tonë kokainë të fshehur në banane.

Ndër argumentet e tyre për rrëzimin e OFL-s dhe shpalljen e saj anti-ligjore, janë mungesa e emergjencës për të nxjerrë Aktin Normativ, si dhe zgjatjen e afatit edhe pas mbarimit të mandatit të saj më 31 dhjetor 2020.

Hysenajt i është sekuestruar një makinë dhe vendimi është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë. Kjo është hera e parë që një rast i operacionit Forca e Ligjit dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Hysenajt, iu kërkua në atë kohë të deklarojë pasurinë, pasi autoritetet ngritën dyshime se kishte pasuri që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Por me këtë kërkesë, subjekti në fjalë kërkon që të mos konsiderohet më si person që e ka pasurinë me prejardhje kriminale.

Sipas tezës së paraqitur nga avokati i tij, “ky akt normativ cënon sigurinë juridike të shtetasit Edlir Hysenaj dhe të drejtën për një proces të rregullt ligjor, pasi të ardhurat e tij janë vlerësuar si të ligjshme nga organi që ka kompetencë për të verifikuar pasurinë e këtij shtetasi”.

Mbrojtja ka pretenduar edhe mungesën e juridiksionit të Gjykatës së Posaçme, duke pretenduar se juridiksioni në lidhje me këtë çështje i përket Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, si prokuroria që duhet të kryejë hetimin pasuror për shkak të veprës penale për të cilën është dënuar Edlir Hysenaj.

Pas shqyrtimit sot në seancë plenare Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim. Në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, u verifikuan 515 subjekte, ku 255 prej tyre u dërguan në prokurori dhe deklaruan pasurinë, ndërsa pjesa tjetër u arkivuan.  Në total janë 1.970 pasuri, ku mes tyre janë llogari bankare, automjete, dhe pasuri të paluajtshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë