Shendet

OBSH: Varianti britanik i pranishëm në 50 vende, imuniteti i tufës nuk do të arrihet në 2021

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se duhet të bëhet kujdes, sepse situata është e vështirë nga përhapja e variantit të ri të virusit. Varianti britanik i Covid-19, i raportuar nga autoritetet britanike në Organizatën Botërore të Shëndetësisë më 14 dhjetor, deri tani është i pranishëm në 50 vende. Një variant tjetër, i identifikuar në fund të vitit të kaluar në Afrikën e Jugut është zbuluar në 20 shtete bën me dije OBSH-ja. Ndërkohë OBSH-ja raportoi gjithashtu për një variant të ri të identifikuar nga autoritetet japoneze tek personat që janë kthyer nga Brazili, mbi të cilin po punohet për të zbuluar më tej të dhëna për të.

Varianti anglez dhe ai afrikano jugor janë të transmetueshëm por jo më të rrezikshëm. OBSH-ja tha më tej se sa më shumë të përhapet virusi, aq më shumë mundësi ka për të ndryshuar kështu që duhet të presim që të shfaqen më shumë variante të Covid-19.

Pavarësisht vaksinave, imuniteti i tufës ndaj Covid nuk do të arrihet në 2021. Është ky parashikimi i OBSH-së, gjatë konferencës së zakonshme mbi pandeminë. “Edhe kur vaksinat të fillojnë të mbrojnë më të prekshmit, ne nuk do të arrijmë asnjë nivel të imunitetit të popullsisë ose imunitetit të tufave në 2021. Edhe nëse ndodh në disa vende, nuk do të mbrojë njerëzit në të gjithë botën”, tha Dr. Soumya Swaminathan.

Në të njëjtën kohë, drejtori Tedros Adhanom Ghebreyesus bëri thirrje për “një angazhim kolektiv për të siguruar që të kryhet vaksinimet për profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe individët me rrezik të lartë në të gjitha vendet brenda 100 ditëve të ardhshme”. Ndërsa nënvizon “përparimin e pabesueshëm” të bërë nga shkencëtarët, të cilët kanë zhvilluar disa vaksina të sigurta dhe efektive kundër një virusi të ri në më pak se një vit, OBSH thekson se  do të duhet kohë për rezultate të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë