“Numri i dy milionë viktimave nga pandemia e Covid-19 është i papërfytyrueshëm, por jo i pamundur”, deklaroi Michael Ryan drejtor i ndihmës së emergjencës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë. “Madje kjo shifër, pa një bashkëpunim ndërkombëtar mund të ndodhë me shumë gjasa”, shtoi ai. Sipas Ryan një rritje e re masive e infektimeve është e mundur. Prandaj duhet të zbatohen me rigorozitet të gjitha masat kundër SARS-CoV2. Higjiena, mbajtja e maskës, distanca, testimi, ndjekja e kontakteve, karantina.

“Çështja që shtrohet është: A jemi të gatshëm të veprojmë sëbashku në shumë drejtime dhe globalisht, që ta kontrollojmë këtë virus në vend që ai të na kontrollojë fatin tonë? Nëse nuk e bëjmë këtë dhe nuk e zhvillojmë mënyrën, dimensionin dhe intensitetin e bashkëpunimit, atëherë kam frikë se duhet të përgatitemi për një shifër të tillë; dhe për fat të keq ndoshta edhe një më të lartë”, tha Ryan. Sfida kryesore sipas tij, është zhvillimi i një vaksine të efektshme.
Aktualisht numri i viktimave në botë që kanë humbur jetën nga virusi Covid-19 po i afrohet shifrës 1 milionë. Pritet që kjo të kalohet në javën që vjen.
SHBA në krye
Në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar ndërkohë më shumë se 7 milionë të infektuar, sipas Universitetit John Hopkins. Kjo është shifra absolutisht më e lartë, ndjekur nga India me 5,8 milionë raste dhe Brazili me 4,7 milionë të infektuar. Ndërkohë në të gjithë botën janë infektuar 32 milionë vetë, 283.000 në Gjermani, ku gjithashtu vihet re rritje e numrit të infektimeve.
Krahasimisht pandemia e Covid-19 është zhvilluar më lehtë në Afrikë deri më tani. “Ky kontinent deri më tani i ka shpëtuar disi rritjes së lartë të infektimeve pasi mendohet se lidhet me kushtet klimatike të tij dhe një dendësi të ulët popullsie në shumë rajone”, ka bërë të ditur zyra e OBSH-së në Brazzaville. Një rol mund të luajë edhe mosha e ulët mesatare e popullsisë afrikane. / DW
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje