Shendet

OBSH: Mbi dy të tretat e të rinjve europianë kanë përjetuar trauma në fëmijëri

Përvojat e vështira gjatë fëmijërisë rrisin rrezikun për probleme të shëndetit mendor dhe vështirësi sociale e ekonomike edhe vite më vonë, paralajmëron një raport i ri i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Më shumë se dy të tretat e të rinjve në Evropë kanë përjetuar të paktën një përvojë negative gjatë fëmijërisë, nga dhuna në familje dhe abuzimi emocional deri te ndarja ose vdekja e prindërve. Sipas raportit, më shumë se një në pesë të rinj kanë përjetuar katër ose më shumë përvoja të tilla.

Studimi përfshiu mbi 26 mijë persona të moshës 18–30 vjeç, të anketuar nga nëntori 2025 deri në janar 2026. Gjetjet tregojnë se ekspozimi ndaj përvojave të vështira lidhet me probleme më të mëdha të shëndetit fizik dhe mendor, vështirësi në aktivitetet e përditshme dhe cilësi më të ulët të jetës.

Sipas raportit, 76,3% e të rinjve që kishin përjetuar katër ose më shumë përvoja negative mendonin se kishin pasur nevojë për mbështetje profesionale të shëndetit mendor gjatë vitit të kaluar. Përqindja ishte 36,7% te ata që nuk kishin raportuar asnjë përvojë të tillë.

Megjithatë, të rinjtë më të prekur kishin edhe më shumë gjasa të deklaronin se nuk kishin marrë mbështetjen për të cilën kishin pasur nevojë.

Natasha Azzopardi-Muscat, drejtoreshë e sistemeve shëndetësore në OBSH-në për Evropën, theksoi se pasojat e traumave të fëmijërisë nuk kufizohen vetëm te shëndeti mendor, por ndikojnë edhe në arsim, punësim dhe marrëdhëniet personale.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se, pa parandalim dhe ndërhyrje të hershme, pasojat e përvojave negative mund të përsëriten nga një brez te tjetri.

Megjithatë, raporti nënvizon se këto përvoja nuk e përcaktojnë domosdoshmërisht të ardhmen e një personi. Mbështetja e duhur, ndërhyrja në kohë dhe krijimi i mjediseve të sigurta për fëmijët mund të zvogëlojnë ndikimet afatgjata dhe të ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë