Organizata Botërore e Shëndetësisë në Europë thotë se izolimet kombëtare konsiderohen si mundësia e fundit në luftimin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.
Organizata thotë se Europa është përsëri në "epiqendrën" e pandemisë.
"Izolimi i shoqërisë do të parandalonte transmetimin e koronavirusit dhe do t'i jepte sistemit shëndetësor hapësirën e nevojshme, por ai gjithashtu ka një kosto të madhe", është shprehur drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Kluge tha se një përgjigje e fortë ndaj pandemisë, nuk do të thotë izolime të rrepta, siç ndodhën në pranverë.
Pasojat e izolimeve përfshijnë shëndetin e dobët mendor, rritjen e dhunës në familje dhe dëmtimin e ekonomisë, paralajmëroi ai.
"Duke pasur parasysh këto realitete, ne i konsiderojmë bllokimet kombëtare një mundësi të fundit", tha zyrtari i OBSH-së.
Këto deklarata Kluge i bëri në një telekonferencë emergjente me ministrat e Shëndetësisë së rajonit për shkak se në Europë u tejkaluan 10 milionë raste.
Ditët e fundit shumë vende europiane kanë marrë masa drastike për frenimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.