Nga Gazeta Si- Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se Europa duhet të jetë më e përgatitur për “javë vdekjeprurëse” të mëtejshme të nxehtësisë ekstreme.
Vala e ardhshme e nxehtësisë po rritet tashmë mbi Atlantik. Portugalia dhe Spanja jugore parashikohet të arrijnë 43°C këtë javë, ndërsa Franca dhe Beneluksi po përgatiten për një tjetër valë të nxehtësisë. Pjesë të Azisë Qendrore po përjetojnë gjithashtu nxehtësi prej 40°C.
Dhe Europa nuk është e përgatitur, paralajmëroi në një deklaratë Drejtori Rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Europën, Hans Kluge.
As gjysma e vendeve në Rajonin Europian nuk kanë plane se si të adresojnë rreziqet shëndetësore nga nxehtësia kur temperaturat rriten ndjeshëm- të emëruara nga OBSH si ‘Plane Kombëtare Veprimi për Shëndetin nga Nxehtësia’- paralajmëroi Kluge.
Shefi i OBSH-së për Europën theksoi nevojën që të gjitha vendet të kenë plane të tilla që do të mbulonin paralajmërimet e hershme meteorologjike, shtrirjen e vëmendjes te grupet në rrezik të shtuar dhe koordinimin midis autoriteteve të shëndetit, shëndetit në punë, kujdesit social, strehimit dhe planifikimit urban.
“Vendet me plane që funksionojnë mirë e dinë paraprakisht se kush është përgjegjës për çfarë, cilat popullata janë më në rrezik dhe në cilin prag temperature aktivizohet çdo nivel reagimi”, tha Kluge, duke shtuar se të kesh këtë qartësi para se të vijë një valë e të nxehtit është “ndryshimi shpëtues jetësh” midis një reagimi të menaxhuar dhe një reagimi reaktiv.
“Puna tani është në dy fronte”, tha ai. “Rregullimi i asaj që dështoi në javët e fundit para se të godasë vala e ardhshme e të nxehtit dhe ndërtimi i llojit të sistemeve shëndetësore që jo vetëm i përgjigjen të nxehtit ekstrem, por janë të gatshme për të”, tha ai.
Të dhënat paraprake nga Europa Perëndimore tregojnë për më shumë se 4,000 vdekje shtesë, ndërsa temperaturat e larta të qershorit i vunë në vështirësi sistemet shëndetësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje