Shendet

OBSH e pranon për herë të parë: Ka prova që Covid-19 përhapet nga ajri

Organizata Botërore e Shëndetit konfirmoi për herë të parë se ekzistojnë "prova të reja" se koronavirusi përhapet nga ajri, që prej publikimit të një letre të hënën, e hartuar nga 239 shkencëtarë. Këta të fundit i bënë kërkesë organizatës që të kryente më shumë hulumtime për të vërtetuar se ky virus qëndron në ajër.
Benedetta Alleganzi, udhëheqësja teknike e OBSH-së për Parandalimin dhe Kontrollin e Infeksioneve, tha gjatë një konference të martën, se organizata ka diskutuar dhe bashkëpunuar me shumë me shkencëtarët që nënshkruan letrën.
"Ne e pranojmë që ekzistojnë dëshmi në këtë fushë, si në të gjitha fushat e tjera në lidhje me virusin dhe pandeminë Covid-19 dhe për këtë arsye besojmë se, duhet të jemi të hapur për këtë provë dhe të kuptojmë implikimet e saj në lidhje me mënyrat e transmetimit dhe gjithashtu në lidhje me masat paraprake që duhen marrë” tha Alleganzi.

Maria D Van Kerkhove, epidemiologe e OBSH

Epidemiologia e sëmundjes infektive Maria Van Kerkove, tha se shumë nga nënshkruesit e letrës janë inxhinierë "gjë që shton njohuri në rritje për rëndësinë e ventilimit, që ne mendojmë se është shumë e rëndësishme".
"Ne kemi folur për mundësinë e transmetimit në ajër si një nga mënyrat e transmetimit të Covid-19” tha Van Kerkove.
Ajo tha se organizata është duke punuar në një përmbledhje shkencore që përmbledh njohuritë e tanishme rreth transmetimit të virusit vdekjeprurës, i cili duhet të jetë i disponueshëm në javët e ardhshme.
Alleganzi theksoi se po punohet për të gjetur më shumë të dhëna për transmetimin e Covid-19.
"Prandaj, mundësia e transmetimit të ajrit në ambiente publike, veçanërisht në kushte shumë specifike, ambiente të mbushura, të mbyllura, me ajrim të dobët që janë përshkruar nuk mund të përjashtohen. Sidoqoftë, provat duhet të mblidhen dhe interpretohen,” theksoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë