Arsim

Nxënësit e klasës së katërt do të mësojnë rreth Inteligjencës Artificiale

Nga Gazeta Si- Viti i ri shkollor do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në kurrikulën mësimore, pasi për herë të parë nxënësit e klasës së katërt në Shqipëri do të mësojnë bazat e inteligjencës artificiale (AI), si pjesë e programit të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu thotë se është miratuar kurrikula e re e TIK për klasat e katërta e cila për herë të parë do të sjellë edhe bazat e njohurive për Inteligjencën artificiale.

Prej kohësh, në të gjithë botën ka debate nëse AI duhet të lejohet në shkolla apo jo.

Në mbarë botën, universitetet prej vitesh po shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjnë me një mjet të fuqishëm të inteligjencës artificiale që është bërë i disponueshëm për publikun – ChatGPT.

Adoleshentët dhe studentët e universiteteve ishin ndër miliona njerëzit që filluan të eksperimentojnë me të. Dhe megjithëse shumë prej tyre gjetën mënyra për ta përdorur me krijimtari dhe pa rrezikshmëri, lehtësia me të cilën programi mundej t’u përgjigjej pyetjeve në testime si dhe ndihma që programi u jepte për detyrat të tjera, shkaktuan panik në radhët e arsimtarëve.

Në 2023, kur po rihapeshin shkollat, në qytetin e Nju Jorkut, në Los Anxhelos dhe drejtori të mëdha arsimore në Shtetet e Bashkuara, filloi të ndalohej përdorimi i programit në klasa dhe në paisjet elektronike të shkollave.

Institucione të tjera arsimore, si Sciences Po Paris, një ndër universitetet më prestigjioze të Francës, ndaloi përdorimin e programit ChatGPT dhe të të gjitha mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale dhe paralajmëroi me përjashtim studentët në rast të shkeljes së këtij rregulli.

Prej 3 vitesh në vend ka nisur edhe një Program kodimi i TIK-ut që nga klasa e parë por ekspertët janë shprehur skeptikë, duke e cilësuar si një program që është i pamundur të zhvillohet për aq kohë sa jo të gjitha shkollat janë të pajisura me kompjuterë.

“Programimi duhet kultivuar si pasion dhe jo si lëndë shkollore, ku nxënësit të ndrydhen nga detyrimet dhe vlerësimet që i bën sistemi arsimor”, tha asokohe eksperti i IT, Kadri Manaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë