Njerez

Nusja gjermane në fisin afrikan Masai

Kjo është historia mahnitëse e një gruaje gjermane, e cila u dashurua me një burrë Masai në Tanzani dhe vendosi të qëndronte në fshatin e tij. Stephanie Fuchs hap derën e një mënyre  jetese për të cilën dimë fare pak,  duke ndarë  ndjenjat dhe sfidat, por kryesisht dashurinë për burrin me të cilin është martuar dhe tokën e bukur nga ai  vjen.

Stephanie, a mund të na flisni pak për veten, ku keni lindur dhe cili është sfondi juaj?

Kam  lindur në Frankfurt të Gjermanisë në qershor të vitit 1986.  Jam rritur nga një nënë beqare,  e cila kishte ardhur në Gjermani nga Franca kur ishte vetëm 19 vjeç. Rastësisht edhe unë u largova nga shtëpia në të njëjtën moshë. Udhëtova  nëpër Australi dhe më pas shkova në Angli për të studiuar Biologji dhe Konservim, në Universitetin e Bath Spa.

Gjatë asaj periudhe kam kaluar dy muaj në Zimbabve për të bërë kërkime për disertacionin tim mbi konfliktin njeri-kafshë. Ndodhi në atë kohë që u dashurova me Afrikën dhe i premtova vetes se do të kthehesha së shpejti. Pas diplomimit, erdha në Tanzani si vullnetare për një OJQ mbi Konservimin,  me qendër në Londër.

Kam punuar për një vit afër Rezervës Selous Game, ku u përqendruam në krijimin e korridoreve të migrimit për gjitarët e mëdhenj. Pastaj u transferova në ishullin Mafia, në jug të Zanzibarit të famshëm, duke punuar akoma për të njëjtën organizatë dhe tani punoj në një Zonë të Mbrojtur Detare, ku merrem me censusin e peshqve. Aty e njoha bashkshortin tim.

Keni bërë diçka jo fort të zakontë.  Jeni martuar me një Masai dhe jeni zhvendosur për të jetuar në vendin e tij. Si ndodhi e gjithë kjo? Ku e takuat dhe kur vendosët të jetoni me të?

E takova burrin tim Sokoine, ndërsa punoja në ishullin Mafia. Ne jetonim në një fshat të vogël brenda Parkut Detar dhe Sokoine punonte si rojë sigurie për një qendër zhytjeje. U takova me të në ditën time të parë në ishull,  ndërsa shëtisja nëpër fshat dhe më tërhoqi menjëherë. Ishin sytë e tij që më tërhoqën - më kujtohet sikur të ishte dje.

Flisja pak suahilisht  dhe u përpoqa ta mbaja atje, në rrugën ku isha hasur  me të dhe disa miq. Por gjatë javëve të para, Sokoine dhe Masai të tjerë  ishin të rezervuar ndaj nesh, miqësorë dhe gjithmonë të buzëqeshur, por preferuan të qëndronin veçmas. Megjithatë, ishte një ditë kur një mik i imi, një vendas, më tha se Sokoine më pëlqente. Unë, natyrisht isha e emocionuar dhe nuk mund ta besoja!

Familja Masai e gjermanes Stephanie Fuchs

Dikush kaq i bukur dhe ekzotik, më pëlqen mua ?! Atë ditë, unë dhe Sokoine biseduam si duhet, haptas,  për herë të parë dhe gjërat vijuan. Një javë më vonë, u lidhëm, por në atë kohë më kishin mbetur vetëm tri  javë nga kontrata. E dija që duhej të largohesha, por nuk doja. E  kisha ditur edhe para se të takoja Sokoinen se doja të qëndroja në Tanzani.

Kështu, planifikova të shkoj në Dar es Salaam dhe të kërkoj një punë. Në të njëjtën kohë, e dija se doja të qëndroja me Sokoinen. Ai po largohej gjithashtu nga Mafia për të shkuar në shtëpi, gjatë lejes vjetore.

Stephanie me bashkëshortin Masai, Sokonie

Unë rashë në dashuri me kulturën e tyre dhe mënyrën se si ata e jetojnë jetën, afër natyrës dhe kafshëve.

Ne bëmë plane për t’u takuar kur ai ishte në Dar dhe pastaj në një moment,  unë do ta vizitoja në shtëpinë e tij, për të takuar familjen. E bëra këtë dy muaj pasi u largova nga Mafia, në maj 2011. Dhe në qershor, ngaqë  nuk doja që të ishim larg, u ktheva në ishullin Mafia me Sokoinen, ku ai duhej të vazhdonte punën për të mbajtur familjen. Isha shumë me fat që u  ktheva në punën time të vjetër.

Jetuam kështu së bashku në ishullin e bukur të Mafias, për 5 muaj dhe më pas më duhej të kthehesha në Gjermani,  për një kohë. Në janar 2012 u ktheva dhe atëherë, Sokoine dhe unë vendosëm të shkonim në shtëpinë e familjes së tij, në Stepat  Masai. Unë do të mbështesja familjen e tij dhe ne do të jetonim një jetë tradicionale Masai, duke jetuar pranë  tokës dhe bagëtisë sonë.

Si reaguan njerëzit përreth (familja, miqtë) kur vendosët të shkonit dhe të jetonit me dashurinë e jetës ?

Ajo që kishte mbetur nga familja ime në atë moment (vëllai dhe motra ime) nuk ishin shumë entuziastë në fillim. Ishin pak të shqetësuar, mendoj. Ata të dy nuk e kishin takuar kurrë Sokoinen, nuk kishin qenë kurrë në Afrikë dhe kishin disa keqkuptime në lidhje me të.

Miqtë e mi të ngushtë nga Anglia dhe Gjermania ishin pak më të hapur dhe njëri erdhi në  dasmën tonë tradicionale Masai,  në prill 2012.

Sot, megjithatë, të gjithë miqtë dhe familja ime e duan mënyrën se si unë jetoj dhe të gjithë ata që më kanë vizituar këtu, janë aq të përulur nga mirësia dhe bujaria e Masai-ve saqë na mbështesin në çdo mënyrë të mundshme dhe shpesh kthehen më shumë se një herë.

Si u ndjetë në fillim dhe si u integruat në një kulturë kaq të ndryshme nga ajo perëndimore?

Jetesa me familjen e tij ishte e vështirë në fillim. Nuk e njihja gjuhën dhe ata flasin vetëm suahilishten bazike. Ka kaq shumë aspekte dhe zakone në kulturën Masai dhe disa prej tyre ishin të vështira për t’u mësuar.

Si të përkulësh kokën kur përshëndet të moshuarit, kur duhet të gjesh  moshën e të gjithëve dhe të mos jesh në gjendje të rrish vetëm me burrin  i cili, si një luftëtar, nuk lejohet të hajë pa luftëtarë të tjerë. Shpesh ndihesha e vetmuar dhe e keqkuptuar.

Ndihesha e pasigurt në marrëdhënien tonë dhe përshtatja e vështirë me  jetën Masai po më kushtonte lumturinë. Kishte shumë lot, por unë isha e vendosur dhe kështu i thashë Sokoines , kur më pyeti nëse do të isha e  lumtur këtu. Ai ishte i mahnitshëm. Më udhëzoi, inkurajoi dhe më mbështeti, shpesh duke lënë pas traditat e tij për hir të mirëqenies sime.

… Sinqerisht, nëse ka pasur ndonjëherë një kohë kur kam humbur diçka, nuk mund ta mbaj mend.

Shpesh ishte i ashpër me mua, duke më thënë të kisha kontroll, por tani e kuptoj se  nuk do t’ia kisha dalë, po të mos kishte qenë për mënyrën se si ai më udhëhoqi. Ajo që më mbajti të shëndetshme, ishte familja e tij e bukur. Rashë në dashuri me kulturën e tyre dhe mënyrën se si ata jetojnë, afër natyrës dhe kafshëve.

Ata ishin kaq mikpritës dhe tolerantë ndaj meje. Më pranuan  pa asnjë pyetje. Më vunë stolitë Masai dhe më veshën me rrobat e tyre. Unë mendoj se ata po përpiqeshin të më shndërronin në njërën prej  tyre,  që nga fillimi.

U përpoqën të më siguronin të gjitha kushtet thelbësore që mund të më jepnin, si ujë të nxehtë për dush, batanije shtesë për të zbutur shtretërit e tyre të fortë, gatuan për mua, më bënë shëtitje. U  kujdesën për mua, si  një fëmijë. Unë isha një fëmijë i vogël në botën e tyre dhe ata vërtet u përpoqën shumë për ta bërë kalimin  më të lehtë për mua.

A ka diçka që ju mungon nga vendi i lindjes dhe diçka vërtet të vështirë nga jeta në Tanzani?

Është  një nga pyetjet më të zakonshme që njerëzit më bëjnë në lidhje me jetën time këtu. Dhe sinqerisht, nëse ka pasur ndonjëherë një kohë kur kam humbur diçka, nuk mund ta mbaj mend. Më kujtohet edhe pse ndihesha çuditshëm  gjatë muajve të parë në Tanzani. Thjesht, kudo që shkoja,  vëmendja ishte tek unë – je e  bardhë, dallohesh dhe njerëzit të quajnë ‘Mzungu’, termi që ata përdorin për të huajt këtu.

Në fillim mendon se po të ofendojnë, por jo. Ata janë thjesht kureshtarë  dhe veçanërisht në Afrikën rurale, shfaqja e një personi të bardhë është aq e rrallë, saqë duket  ngjarje e madhe. Më parë nuk më pëlqente, por si me shumë gjëra të tjera mësohesh. Dhe kur përgjigjesh me  buzëqeshje - të kthehet buzëqeshje.  

Këtu në shtëpinë time Masai, mungesa e energjisë elektrike, ujit të rrjedhshëm dhe lukseve të tjera të Botës së Parë nuk më shqetëson. Kam gjithçka që më duhet. Ndonjëherë, kur nuk jam mirë, sidomos kur kam malarie (e kam kaluar pesë apo gjashtë herë) bëj pica të lezetshme dhe një gotë të ftohtë me lëng frutash, por kur jam e shëndetshme, jam mirë vetëm duke ngrënë oriz dhe perime çdo ditë.

E vërteta është, këtu në Afrikë, madje edhe këtu në mes të askundit, mund të marrësh  shumicën e gjërave që gjen në botën perëndimore - thjesht duhet të shkosh pak më tej dhe të punosh pak më shumë për ta arritur. Unë kam një panel diellor që më siguron energji elektrike, kemi një rezervuar uji shiu që na siguron ujë. Kemi një fshat afër ku mund të blej perime dhe madje, edhe fruta.

Eci një orë për të arritur atje, por bën mirë. Nëse nuk pëlqeni të ecni, mund merrni një motor-taksi. Ne kemi tonat, kështu që e bën gjithçka shumë më të lehtë. Ndonjëherë më merr  malli për miqtë dhe familjen, ose të ulem në kopsht në një ditë të ngrohtë europiane duke pirë një gotë të ftohtë verë, por shumicën e ditëve jam thjesht e lumtur dhe mirënjohëse që jam aty ku jam.

Po jetoj çdo ditë në mënyrën që dua ta jetoj, duke bërë atë që më pëlqen të bëj.

Po e  jetoj çdo ditë në mënyrën që dua ta jetoj, duke bërë atë që më pëlqen të bëj. Nuk kam stres, nuk kam fatura për të paguar, nuk kam punë për të arritur në 8 të mëngjesit. Zgjohem çdo ditë e rrethuar nga natyra, nga të qeshurat e fëmijëve dhe zhurmat e kafshëve tona. Jam e lirë të endem kudo që më pëlqen të shkoj. Shkoj shumë mirë me vjehrrën time, mirësia dhe mençuria e së cilës e kanë bërë atë një nga shoqet e mia më të mira.

Ajo që më shqetëson ndonjëherë janë vështirësitë për të arritur nga një vend në tjetrin gjatë sezonit të shirave. Për të arritur në fshatin tonë, duhet të gjarpërosh në një rrugë me pluhur prej 100 km, e cila shndërrohet në baltë gjatë shirave dhe ka pasur shumë herë kur kemi zbritur  autobusin dhe kemi ecur, duke arritur në shtëpi natën vonë. Por këto janë aventurat që ju bëjnë më të fortë, që ngrenë shpirtin dhe të  mbajnë në majë të gishtërinjve, si mendërisht ashtu edhe fizikisht.

Janë këto sfida që më kanë bërë ta dua Afrikën, sepse ajo ka aftësinë të ta përplasë në fytyrë dhe të të thotë “Jo, nuk është aq e lehtë, unë do të të bëj të punosh për këtë”. Ajo të hap sytë dhe të mëson të mos i marrësh gjërat si të mirëqena, të ndalosh së qeni kaq e  llastuar.

Cilat janë sfidat më të mëdha kulturore në lidhje me burrin dhe familjen e tij?

Dikur ka pasur shumë gjëra që më shqetësonin, por tani ndiej që shumë nga ishin aq  të vogla dhe të parëndësishme dhe se,  isha paksa budallaqe që mërzitesha. Një gjë shumë e vështirë në fillim, ishte fakti që nuk kisha kohë vetëm me burrin tim. Ai ishte gjithmonë i rrethuar nga luftëtarë të tjerë, shpesh deri kur shkonim të flinim. Dikur më shqetësonte, por jo më. Më pëlqen që ndajmë gjithçka me familjen e tij dhe që shtëpia jonë është gjithmonë e hapur për vëllezërit e motrat, miqtë dhe fqinjët e tij. Ishte gjithashtu e vështirë të pranoja që burri im, duke qenë një luftëtar, nuk do të luante një rol të madh në rritjen e djalit tonë.

Muajt ​​e parë pas lindjes ishin disa nga më të vështirat në jetën time, por ashtu si me gjërat më të vështira në jetë, më dhanë disa mësime të vlefshme. Ashtu si me të gjitha kulturat, Masai gjithashtu ka tabu dhe sjellje të caktuara që janë të çuditshme për një perëndimor mesatar, por ti i njeh dhe i pranon.

Ndonjëherë do të doja të mund të flisja më hapur për ndjenjat, ëndrrat dhe dëshirat e mia me familjen e burrit,  por e di që ata nuk do të ishin në gjendje të më kuptonin mua ashtu siç do të doja unë, kështu që  e lë. Ka akoma momente kur ndihem krejt vetëm dhe e keqkuptuar, por këto momente kalojnë dhe shpesh kanë të bëjnë më shumë me veten,  sesa me njerëzit e bukur që më rrethojnë.

Mendoj  se kjo është e vërtetë për të gjithë, pa marrë parasysh se ku jeton: nëse zemra dhe mendja janë aty, do të përpiqesh me më të mirën për ta bërë të funksionojë. Nëse jo, do ta zbulosh ditën që ke  zgjedhur të heqësh dorë nga përpjekja.

Dëshironi të na flisni shkurtimisht për aktivitetin  si operatore turistik?

E kam mbështetur familjen e burrit për më shumë se gjashtë vjet, por pa të ardhura të rregullta, kjo ka sjellë dëme në financat e mia. Duhet të gjeja një mënyrë për të fituar të ardhura pa pasur nevojë të bëja investime.

Kështu që vendosa të hap dyert tona për një audiencë ndërkombëtare, për të ftuar njerëzit të vijnë e të qëndrojnë në shtëpinë tonë dhe të përjetojnë kulturën magjepsëse të Masait. Krijova një faqe në internet të Turizmit Kulturor dhe gjithashtu fillova të shkruaj një blog,  në lidhje me përvojat e mia të jetesës me Masai.

Ishte djali im, i cili lindi në kulturën e babait të tij, ai që më frymëzoi për ta bërë këtë. Për të ruajtur tokën e bukur të egër në të cilën jetojmë,  në mënyrë që ai të rritet i vërtetë ndaj rrënjëve të tij Masai dhe në harmoni me natyrën.

Ne kemi pasur një grusht mysafirësh dhe ata e kanë dashuruar përvojën. Ka shumë operatorë turistikë, që ofrojnë vizita në shtëpitë e Masai, por këto vizita shpesh inskenohen, duke u zhvilluar në boma false dhe jo shumë prej fondeve kthehen në komunitete.

Tek ne, përvoja është autentike dhe unike, duke u dhënë mysafirëve mundësinë për të luajtur pjesë aktive në rutinat e përditshme të Masai dhe ne ofrojmë qëndrime disaditore për një pasqyrë të vërtetë kulturore.

Po i  përdor fondet për të ushqyer familjen tonë të madhe dhe nëse ky biznes bëhet me të vërtetë i suksesshëm, do të investoj disa para në komunitetin tonë për të mbrojtur trashëgiminë unike kulturore të Masait dhe stepën  nga e cila varen për të ushqyer bagëtitë e tyre.

Pse e keni nisur Fondin e Edukimit Masai dhe a mund të na thoni diçka  që nuk është shpjeguar tashmë në faqen e fushatës për mbledhjen e fondeve?

E nisa fondin e Edukimit Masai nga dashuria për Masait dhe e ushqyer nga pasioni im për konservimin. Me të, shpresoj të mbroj kulturën e Masait dhe mjedisin ku ata jetojnë. Ishte djali im, i cili lindi në kulturën e babait të tij, ai që më frymëzoi për ta bërë këtë. Për të ruajtur tokën e egër e të bukur në të cilën jetojmë , në mënyrë që ai të rritet i vërtetë ndaj rrënjëve të tij Masai dhe në harmoni me natyrën.

Masait janë njerëz kaq të bukur, si brenda ashtu edhe jashtë, megjithatë ata kanë vështirësi  në mbërthimin e vlerës së tyre. Ata përpiqen të gjejnë vendin e tyre në një botë gjithnjë e më moderne dhe të mbipopulluar dhe kanë filluar të shpërfillin kulturën e tyre të bukur antike.

Tanzania ka një nga sistemet më të këqija të arsimit në Afrikë dhe kjo është e dukshme në mungesën e të kuptuarit që Masai kanë për mënyrën se si ata janë kaq shumë të lidhur me shkretëtirën,  në të cilën jetojnë.

Masai varet nga bagëtia e tyre si të ardhura, vetë bagëtia varet nga një ekosistem i shëndetshëm për të gjetur toka të mjaftueshme për kullotje dhe ky ekosistem duhet të kujdeset nga banorët e tij - Masai, për të qëndruar i paprekur. Nëse dikush arrin të përmirësojë vetëm njërin nga këto tre aspekte, ai do të ketë një ndikim pozitiv në dy të tjerët.

Stephanie me të birin

Unë synoj të siguroj fonde që komuniteti ynë të edukohet në menaxhimin dhe konservimin e tokës në mënyrë që të mund të punojmë së bashku për të mbrojtur dhe rigjeneruar tokat tona, të cilat vuajnë nga praktika të paqëndrueshme bujqësore dhe shpyllëzime.

Do të duhen vite për të sjellë ndryshime dhe për të parë disa rezultate dhe unë do të jem këtu për t'i mbështetur dhe inkurajuar ata dhe për të vazhduar të gërmoj për ato fonde shumë të nevojshme.

Ka shumë koncesione në pronësi të komunitetit në Kenia, shumë të drejtuara nga Masai ose Samburu, të cilat kanë një bollëk të botës së egër duke ndarë hapësirën e saj me bagëtitë e fiseve dhe kjo është ajo që shpresoj të krijoj këtu. Unë besoj se është e mundur që Masai të jenë edhe njëherë kujdestarë mbi tokën e tyre - unë thjesht po u jap atyre një shtytje të vogël për ta nisur këtë përpjekje.

Ky do të jetë një projekt në vazhdim.  Me fondet që kam mbledhur, do të jemi në gjendje të fillojmë arsimimin, por do të duhet të mbledhim fonde të mëtejshme për të zbatuar ato që kemi mësuar dhe për të marrë një kurs të dytë, më të gjatë dhe më të thelluar./ Përktheu: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë