Dosje

Nuredin Dumani rrëfen grabitjen e argjendarisë me Gentian Sharrën në Elbasan: Unë e godita me levë, morëm 8,3 kg flori

Gazeta Si – I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, vazhdon të tregojë detaje nga dosja “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme.

Këtë të enjte, kanë qenë avokatët ata që kanë “marrë në pyetje” bashkëpunëtorin e drejtësisë lidhur me marrëdhënien që ai ka pasur me Gentian Sharrën, një nga të pandehurit e dosjes.

Për këtë të fundit, Dumani tha se ai dhe Sharra kishin bashkëpunuar në vjedhje dhe grabitje të ndryshme. Gjatë dëshmisë, Dumani rrëfeu për grabitjen e një argjendarie në bashkëpunim me Sharrën në vitin 2011, ndërsa theksoi se me të shumëkërkuarin e drejtësisë, Talo Çela kanë vjedhur makina.

Sipas Dumanit, plani ishte organizuar nga Sharra, i cili kishte propozuar përdorimin e një leve hekuri për goditjen e viktimës.

PJESË NGA MARRJA NË PYETJE:

Ku ke jetuar?

Nuredin Dumani: Jam shpërngulur nga Dibra drejt Rtogozhinës. Më pas kam shkuar në Durrës dhe në Elbasan. Në vitin 2020 kam marrë një apartament në Elbasan, përballë parkut.

Nga e njihni Gentian Sharrën?

Nuredin Dumani: E njoh nga Talo Çela në vitin 2010. Gentian Sharra kishte një lokal dhe servis në Bradashesh. Tek servisi kam qenë disa herë, si vetëm ashtu edhe me persona të tjerë.

Me Gentian Sharrën kam bashkëpunuar për shumë gjëra. Në fillim transportonim makinat e vjedhura dhe më pas organizonim grabitjet.

Kjo grabitje ishte ndër më të mëdhatë që kemi kryer. Objektivi ishte një argjendar në Elbasan, u planifikua nga Gentian Sharra, i cili donte të merrte pjesë, pasi ishte një shumë e madhe.

Unë shkova vetëm ditën e ngjarjes. Unë do ta godisja me një levë hekuri. Ilirjan Feçi do merrte floririn. Ndërsa Talo Çela dhe Gentian Sharra do na prisnin jashtë. Do ta godisnim te një parkim në Elbasan.

Ditën e grabitjes, unë dhe Ilirjan Keci shkuam të parët. E goditëm viktimën në një parkim të një lagjeje të vjetër, teksa po shkonte drejt makinës së tij, një ‘Benz’ i vjetër. Më pas, Talo Çela dhe Sharra erdhën për të ekzekutuar pjesën tjetër të planit.

Ku u diskutua plani për grabitjen?

Nuredin Dumani: Plani u bisedua në shtëpinë e Talo Çelës, e cila ndodhet pranë servisit të Gentian Sharrës. Shtëpia ishte dykatëshe me çati dhe në atë kohë nuk kishte portë, por vetëm rrjetë.

Si ishte viktima dhe si u krye grabitja?

Nuredin Dumani: Viktima ishte trupmbushur dhe më i gjatë se unë. Grabitja u krye në orën 07:00-08:00 të mëngjesit, gjatë një dite me shi. I morëm dy çanta, një blu e errët ose e zezë, nuk e mbaj mend saktë.

A e mësuat emrin e viktimës?

Nuredin Dumani: Nuk e kam fiksuar, pasi nuk më interesonte.

Çfarë kishte brenda çantave?

Nuredin Dumani: I morëm 2 çanta. Pasi e godita, ra në tokë. Një çantë e mora unë, një Ilirjan Feçi. Në çanta kishte bizhuteri të ndryshme, mbi 30 ora dhe rreth 8.3 kg ar, pa llogaritur orët. Pas grabitjes, shkuam në shtëpinë e Talo Çelës dhe i zbrazëm sendet në papafingo. Hoqëm çantat për të shmangur ndonjë pajisje GPS.

Si u larguat nga vendngjarja?

Nuredin Dumani: Atë ditë kishim një ‘Benz 2500’ me ngjyrë blu të errët. Shkuam dhe u kthyem me të njëjtën makinë. Po ashtu, kishim dhe dy mjete të tjera, një ‘Rover 75’ dhe një tjetër ‘Benz 2500’.

Çfarë ndodhi me çantat e grabitura?

Nuredin Dumani: Çantat i hoqi Talo Çela, por nuk e di se ku i çoi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë