Aktiviteti kriminal i Nuredin Dumanit dhe grupit të tij të akuzuar si vrasës me pagesë dyshohet se është shtrirë edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Sipas dëshmive të Dumanit, i penduar tashmë, ka të dhëna të besueshme që ai të jetë përfshirë në ekzekutimin e shtetasve shqiptarë në Belgjikë, Holandë dhe Itali. Dëshmia e Dumanit përputhet me provat e administruara në disa ngjarje kriminale, kryesisht ekzekutime mafioze të porositura nga persona me precedentë të theksuar kriminalë.
LEXO EDHE:
– Burg për ‘të penduarit’ dhe anëtarët e 8 grupeve kriminale. Besian Xhixha kërkon ballafaqim me Dumanin
– Dosjet e Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit në SPAK, do hetohen si grup kriminal
– Kush e tradhtoi Dumanin? Polici-SPAK nën akuzë sapo nisën të flasin ‘të penduarit’
– Si u njoh Henrik Hoxhaj me Nuredin Dumanin?
Për t’u thelluar në hetimet mbi ngjarjet e bujshme jashtë vendit, SPAK ka vendosur kontakte me hetues në Holandë, Belgjikë dhe Itali.
Në të trija këto vende ndër vite kanë ndodhur disa vrasje të bujshme shqiptarësh. Në Holandë, në 2015-n u ekzekutuan në banesë vëllezërit Florenc dhe Glevis Tola, 30 dhe 26 vjeç. Dy të rinjtë nga Elbasani, sipas deklaratës së bërë nga autoritetet holandeze u vranë për çështje droge.
Në Belgjikë, në maj të vitit të kalua u ekzekutua me tetë plumba Arjan Spahiu. Arjan Spahiu ishte edhe kunati i Erion Alibejt, i cili ndodhet në burg pasi akuzohet si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura në Elbasan.
Alibej akuzohet se ka organizuar vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibejt, që u vra dy vite më parë në Bradashesh së bashku me xhaxhain e tij, Arben Dylgjerin dhe shtetasin turk, Erdal Duranay.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.