Ngjarje

Numri real i viktimave në Itali shumë më i lartë

Ndërkohë që italianët kanë dalë sot nga izolimi, pas javësh të tëra karantine, një lajm i keq ka ardhur nga autoritetet e vendit fqinj.

Zyra e statistikave ISTAT ka zbuluar sot se numri i vdekjeve të koronavirusit në Itali është shumë më i lartë se sa u raportua. Ajo tregon në bazë të një analize se mijëra viktima që kanë ndërruar jetë gjatë epidemisë nuk i janë atribuuar zyrtarisht Covid-19.

Në raportin e parë të ndikimit të epidemisë në shkallën e vdekshmërisë së Italisë, ISTAT tha që nga 21 shkurti, kur ndodhën vdekjet e para Covid-19, deri më 31 mars, numri i viktimave në mbarë vendin u rritën 39% krahasuar me mesataren të pesë viteve të mëparshme.

Nga 25.354 viktima, Covid-19 u regjistrua nga Agjencia e Mbrojtjes Civile si shkak zyrtar për vdekjen e 13.710 prek tyre, duke lënë 11.600 viktima të panumërta. Viktimat u shënuan në mënyrë dërrmuese në pjesën veriore të Italisë, e goditur më së shumti nga virusi.

Byroja e statistikave thoshte se ishte e arsyeshme të supozohej se këta njerëz ose vdiqën nga Covid-19 pa u testuar ose nga mbingarkimi i sistemit shëndetësor për shkak të epidemisë do të thoshte se ata vdiqën nga shkaqe të tjera për të cilat nuk u trajtuan.

Duke filluar nga sot, më shumë se katër milion italianë u rikthyen në punë ndërsa prodhuesit, ndërmarrjet e ndërtimit dhe disa shitës me shumicë u rihapen pas dy muajsh mbyllje.

Zyrtarisht, deri në 3 maj, Agjencia e Mbrojtjes Civile regjistroi 28.884 viktima nga koronavirusi, bilanci i dytë më i lartë në botë pas Shteteve të Bashkuara.

Agjensia harton të dhëna nga rajonet mbi viktimat që testuan pozitiv me koronavirus dhe i nxjerr ato në një buletin çdo ditë.

Raporti i ISTAT, i hartuar së bashku me Institutin Italian Shëndetit, konfirmoi përqendrimin masiv të epidemisë në rajonet veriore të vendit fqinj, ku kanë ndodhur edhe shumica e vdekjeve të raportuara.

Në rajonin verior të Lombardisë, që përfshin kryeqytetin financiar të Milanos, vdekjet u rritën me 186% në krahasim me marsin e viteve të kaluara. Qyteti më i prekur ishte Bergamo, afër Milanos, ku numri i viktimave u rrit në 568% në mars në krahasim me mesataren 2015-2019.

Në Romë, qyteti më i populluar i Italisë, i cili është goditur relativisht lehtë nga Covid-19, numri i viktimave ka pësuar një rënie prej 9% në krahasim me pesë vitet e kaluara. Kryeqyteti sicilian i Palermos gjithashtu shënoi një rënie prej 9%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë