Ngjarje

‘Nuk po i heqim askujt të drejtën për të folur’, Lloshi dhe Ceka sqarojnë peticionin: Mos ushqejmë brezin e ri me budallallëqe antishkencore

Nga Gazeta ‘Si’- Hapësira që zënë në media personat e pakualifikuar dhe dezinformimi që i vjen publikut nga individë të caktuar duke paraqitur hipoteza shkencore të pabazuara ka bërë që një grup studiuesish të firmosin një peticion drejtuar institucioneve përgjegjëse. Studiuesit dhe akademikët ndër të tjera kërkojnë edhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Ata shprehen se fjalët e huazuara pa kriter dhe pa kontroll po cënojnë identitetin e gjuhës shqipe, që duhet të mbrohet me ligj.

A duhet të ketë në media më vend për persona të pakualifikuar dhe sa duhet ta lejojmë deformimin e gjuhës shqipe?

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, gjuhëtari Xhevat Lloshi, njëkohësisht njëri nga firmëtarët e peticionit shprehet për Gazetasi.al se gjuha shqipe është jo vetëm simboli i identitetit kombëtar, por edhe mjeti që e ka mbrujtur dhe e ka mbajtur të qëndrueshëm këtë identitet.

Ai ngre pyetjen se “nëse jemi një komb i cili do të ruajë identitetin e tij, por do të ruajë edhe fytyrën e tij përpara botës, a mund të lejojë që publikisht në mjetet publike të mos përdoret drejt gjuha shqipe”?

“Ne duam të hyjmë në Europë, por a mund të ndodhë një shkelje kaq e rëndë e tiparit themelor që është gjuha. Një shembull, në Itali ka dialekte, p.sh dialekti napolitan është krejt i njohur dhe krejt i veçantë, por po të ndjekim të gjitha stacionet televizive italiane, të gjitha vazhdojnë t’i përmbahen asaj që quhet gjuha standarde. Gjuha letrare standarde është gjuha publike, gjuha shtetërore, gjuha e kulturës dhe arsimit, por kjo nuk përjashton që për nevoja artistike, qoftë edhe individuale që dikush kërkon të përdorë një idiolekt, të folmen e vet, por kjo nuk do të thotë që të ngrihen të shajnë gjuhën italiane. Nuk ndodh në Europë kështu, sepse ka një opinion shoqëror që e kundërshton dhe nuk mund ta pranojë një gjë të tillë. Pse në Shqipëri deri tani pranohet një gjë e tillë?”, shprehet për Gazetasi.al gjuhëtari Xhevat Lloshi.

"Gjuha shqipe është jo vetëm simboli i identitetit kombëtar, por edhe mjeti që e ka mbrujtur dhe e ka mbajtur të qëndrueshëm këtë identitet", citon Lloshi

Edhe për akademikun Neritan Ceka, një tjetër firmëtar i peticionit problem mbeten fjalët e huaja dhe përdorimi i tyre pa kriter në media.

“Fjalët e huaja po hyjnë pa kursim në media, por mediat vizive kanë ndikim mbi brezin e ri në mënyrë të jashtëzakonshme. Nëse vazhdojmë me këtë deformim të gjuhës shqipe, do krijohet një gjuhë paralele”, thotë për Gazetasi.al akademiku Neritan Ceka.

Një nga problemet që shtrohet në peticion është edhe dezinformimi, ku individë të caktuar paraqesin hipoteza shkencore të pabazuara.

“Ne asnjëherë në këto 30 vjet nuk kemi thënë që dikush nuk të drejtë të flasë apo nuk ka të drejtë të shkruajë, kushdo le të shkruajë dhe të flasë. Ne po trajtojmë një çështje, që ka të bëjë jo me individë, por ka të bëjë me shoqërinë tonë, ka të bëjë me kulturën tonë, identitetin tonë kombëtar. Një shoqëri, një komb krijon shtetin e vet, identitetin e vet dhe ka të drejtë ta zhvillojë dhe në këtë gjë bën pjesë nga njëra anë zhvillimi i shkencës, nga ana tjetër zhvillimi i gjuhës. Në ka shkencë apo jo nuk më shqetëson. Mua më shqetëson kur mjetet e komunikimit masiv shtypi, gazeta, televizioni u japin vend mendimeve dhe propozimeve të cilat janë absolutisht antishkencore. Në këtë mënyrë do ta ushqejmë brezin e ri me budallaqëqe antishkencore. Ka një autore e cila thotë publikisht që gjuha shqipe është gjuha më e vjetër në botë, që gjuha shqipe është e vjetër sa njerëzimi. Por sa i vjetër është njerëzimi? Atëherë ta shkelim shkencën shqiptare”, vijon më tej argumentin e tij gjuhëtari Xhevat Lloshi.

Për akademikun Neritan Ceka, këta individë që dalin dhe flasin kanë kurajo të godasin edhe institucionin e studimeve shqiptare, ndaj duhet të ndërhyjnë institucionet përgjegjëse që të mos kthehet në problem kombëtar.

“Mediat kanë një tendencë që të priren drejt lajmeve që nuk kanë baza shkencore sesa t’u drejtohen institucioneve që janë ngritur me këtë qëllim. Akademia e Shkencave nuk është institucion qiellor, është një institucion i ngritur nga shteti për të përcaktuar drejtimet kryesore dhe për të promovuar rezultatet kryesore në fushën e shkencës. Është më shumë çështje e mediave publike sesa e mediave sociale, që mendojnë të promovojnë lajme që duken interesante pa marrë mendimet e studiuesve, të cilët taksapaguesit shqiptarë i paguajnë prej vitesh secilin prej tyre dhe ky është një problem i madh. Është njësoj sikur në vend që të marrësh një shërbim publik të cilin ti e paguan, të shkosh të marrësh një shërbim privat që nuk i certifikuar në të gjitha drejtimet si në arsim, shëndetësi etj. Shumë lajme prodhohen nga persona të paautorizuar dhe këto e vënë pastaj në pozitë qesharake edhe vetë Shqipërinë”, shprehet ndër të tjera akademiku Neritan Ceka.

Për akademikun Neritan Ceka, këta individë që dalin dhe flasin kanë kurajo të godasin edhe institucionin e studimeve shqiptare

Ndërkaq që përdorimi i fjalëve të huaja në media, si në artikujt e shkruar, por edhe në emisionet e përditshme solli një ditë më parë dhe takimin nga Autoriteti i Mediave Audiovizive me temë, “Fol Shqip-Të mbrojmë dhe të duam gjuhën shqipe”.

Ndër të tjera, Ceka shton se “ky është një peticion publik që i drejtohet publikut kush ka veshë të dëgjojë, kush ka sy të shikojë. Pra nuk bëhet fjalë për një peticion zyrtar që të marrim përgjigje nga një institucion përkatës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë