“Kundër një izraeliti nuk garoj”. Me këtë shpjegim, Fethi Nourine, xhudisti algjerian që duhej të garonte në kategorinë 73 Kg, ka vendosur të tërhiqet dhe të lërë Lojërat ende pa i nisur. Kundërshtari i Nourine në turin e dytë duhej të ishte izraeliti Tohar Butbul.
Lajmi është konfirmuar edhe nga trajneri Amar Ben Yekhlef: “Nuk patëm fat në short, – ka komentuar ai. – Xhudisti ynë Fethi Nourine duhej të përballej me një kundërshtar izraelit dhe kjo është arsyeja e tërheqjes së tij. Kemi marrë vendimin e duhur”.
Në turin e parë, kalendari e vinte algjerianin përballë sudanezit Mohamed Abdalrasol, një rival i kalueshëm dhe ishte thuajse e sigurt që Nourine do të ndeshej me Tohar Butbul më pas. “Kemi punuar shumë për të shkuar në Olimpiadë, por kauza palestineze është me madhe se gjithçka tjetër”, – ka thënë xhudisti algjerian, duke theksuar se vendimi i tij është final.
Nuk është hera e parë që Nourine tërhiqet nga një kompeticion për të mos u ndeshur me një izraelit. E ka bërë më parë edhe në Botërorin e 2019-ës, edhe në atë rast duhej të ndeshej me Tohar Butbul. Në Botërorin e 2019-ës, iraniani Saeid Mollaei u rebelua, sepse nuk donte të ndeshej me izraelitin Sagi Muki dhe humbi qëllimisht në gjysmëfinale ndaj belgut Mathias Case. Më pas shkoi në Gjermani për të evituar ndëshkimin e mundshëm nga qeveria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.